Kurier
Me fitoren 2-0 ndaj Polonisë, shqiptarët bënë një hap të madh drejt kualifikimit në Europian. Edhe pse Jasir Asani e kishte hapur rrugën drejt një fitoreje të madhe për shqiptarët me një gol të jashtëzakonshëm- ndoshta nga më të bukurit deri më tani në kualifikueset e Kampionatit Europian- pas ndeshjes të gjithë folën vetëm për golin e dytë.
Mirlind Daku e ktheu në një çmendinë stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë, pasi shënoi në minutën e 62-të. Sulmuesi vrapoi përpara tifozëve të furishëm, hoqi fanellën duke vrapuar dhe u dha kamerave televizive një pamje të pjesës së sipërme të trupit. Një detaj në shpatullën e djathtë do të bëhej një temë e nxehtë në Ballkanin gjithnjë e më të nxehtë.
Një homazh për komandantin e vrarë
Është një tatuazh që tregon këmbën e një ushtari mbi një bllok guri të thyer. Pranë çizmes së ushtarit është shkruar ‘Katana 138’. Sipas medieve kosovare, blloku i gurit simbolizon kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ose ndarjen e padëshiruar të grupeve etnike shqiptare që jetojnë atje.
‘Katana’ është nofka e komandantit Agim Ramadani, i cili vdiq në luftën mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 1999, dhe që drejtonte brigadën 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
‘Provokim i turpshëm nga shqiptarët’
Ramadani gëzon statusin e heroit në Kosovë, madje një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij. Në Serbi nuk është çudi që ndodh e kundërta. “Shqiptari shënoi një gol në kualifikuese dhe më pas tregoi një tatuazh të një terroristi të UÇK-së në shpinë,” shkruante tabloidi Telegraf, duke i bërë thirrjes UEFA-s që të gjobisë Dakun.
“Provokim i turpshëm i shqiptarëve: shënoi gol dhe më pas tregoi tatuazhin e një terroristi të UÇK-së që vrau serbët,” shkruante portali Novosti.
Daku: Golin ua dedikon të gjitha viktimave në Kosovë
I lindur në Kosovë, Mirlind Daku fillimisht luante për vendin e tij të lindjes. Ai vetëm së fundmi ka vendosur të luajë për Shqipërinë. Sulmuesi i klubit rus, Rubin Kazan, deri më tani ka luajtur dy ndeshje për kombëtaren shqiptare. Goli i rëndësishëm i 2 me 0 ishte goli i tij i parë.
“Golin ua dedikoj të gjitha viktimave në Kosovë, që dhanë gjithçka për atdheun e tyre. Vetëm falë tyre, mund të luajmë sot këtu dhe të bashkojmë të gjithë trevat shqiptare,” tha 25-vjeçari pas fitores ndaj polakëve. Një deklaratë që nuk ka gjasa të përmirësojë gjendjen mes serbëve.