Turistët e huaj mesa duket nuk po durojnë “t’i bëjnë për budallenj”, teksa mashtrohen apo i shfrytëzojnë gjatë sezonit veror ofruesit e shërbimeve të ndryshme turistike.
Me fuqinë e rrjeteve sociale, ata gjithnjë e më tepër shprehin pakënaqësitë e tyre në destinacione të ndryshme turistike, duke paralajmëruar njëkohësisht edhe të tjerët.
Pak ditë më parë një modele amerikane bëri zhurmë në internet, pasi denoncoi sipas saj pushimet e lodshme dhe skandaloze në një prej destinacioneve më të preferuara, Amalfi.
Ajo tha se qytetin, plazhin dhe shërbimet nuk i gjeti ashu siç reklamoheshin, por shumë më keq.
Përjashtim nuk bën as Shqipëria. Një turiste australiane ka denoncuar këtë herë në rrjetin social TikTok pushimet “traumatike” në Itali, Greqi dhe Shqipëri.
Duke u ndalur në vendin tonë, ajo ka kapur disa momente që sigurisht nuk na bëjnë krenarë. Një prej tyre është kjo tualetë e ngushtë allaturka, për të cilën thotë se ka paguar dy euro për ta përdorur.
Një tjetër moment, është ai i udhëtimeve me furgona që e mbajnë derën hapur. Këtë e bëjnë për të mos ndezur kondicionerin duke kursyer, apo kur s’kanë kondicioner fare, por për turistët është skandaloze.
As pickimet e mushkonjave nuk mungojnë. Anna Shatilova nga Sidney tregon dorën dhe këmbën e saj ku dallohen pickimet e mushkonjave.
Ajo thotë se krevati marinar në shtëpinë ku po qëndronin, në fakt ishte dy krevate tekë të venosur mbi njëri-tjetrin, dhe të pasiguruar.
E ndërsa komentuesit i shkruajnë me ironi se “po përjeton eksperiencën e vërtetë ballkanike”. Një tjetër komentues i shkruan “Po merr atë për të cilën ke paguar”.
Megjithatë ajo thotë se dëshiron të rikthehet sërish në Ballkan, pavarësisht kaosit.