Për të ilustruar akuzat e tij se Edi Rama është i lidhur me krimin dhe se vepron në emër të krimit, Sali Berisha solli të martën si shembull emrin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, të arrestuar në kuadër të operacionit Metamorfoza me akuzën e vrasjes.
Berisha nënkuptoi se Gjoka, përmes Ramës u përpoq që të zgjedhë kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme. Këtu përmendi emrin e Edvin Kondillit dhe iu referua garës së muajit dhjetor, ku Kondilli u mund me një votë më shumë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga Altin Dumani. Për ta përforcuar të vërtetën e tij, Sali Berisha tha se Kondili dërgoi në Shkodër dosjen e Bajrave, duke e shpallur se nuk janë organizate kriminale.
Lapsus, apo me qëllim i gjithë pohimi i Berishës ka një të pavërtetë të madhe. Dosja e Bajrave vërtet ka qenë në SPAK, por ajo nuk ka qenë në duart e prokurorit Edvin Kondilli. Dosjen e ka pasur në dorë një tjetër prokuror i posaçëm, që është përfolur si ‘mik shtëpie’ i Pëllumb Gjokës. Ky prokuror më pas shpalli moskompetencën dhe transferoi dosjen për prokurorinë e Shkodrës.
Më pas, në Shkodër dosjen e mbylli prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar tashmë si pjesë e dosjes Metamorfoza.