Kryeministri Edi Rama ashtu sikurse kishte paralajmëruar, ka prezantuar para Asamblesë Kombëtare të PS, ndryshimet e rëndësishme në kabinetin qeveritar. Në total janë 7 lëvizje.
Dy ndër lëvizjet më thelbësore janë ato që përfshijnë ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ministrinë e Financave.
Në krye të diplomacisë shqiptare do të jetë, Igli Hasani që zëvëndëson Olta Xhaçkën. Hasani edhe pse është një emër i panjohur për publikun, është një diplomat i rangut të lartë. Hasani vitet e fundit ka mbajtur një sërë pozicionesh të rëndësishme për Shqipërinë në OSBE.
Kush është Igli Hasani?
Igli Hasani aktualisht është Koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.
Përpara anëtarësimit në OSBE, Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Në janar 2021, ai mori postin e Kryetarit të Grupit të Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim.
Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.
Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014). dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).
Ai është diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes.