Jahti “Koru” i themeluesit të Amazon Jeff Bezos mbërrin në Durrës. Ndërsa çmimi i naftës në treg njeh rritje të vazhdueshme, jahtet turistike vijojnë ta shohin vendin tonë si stacionin më të preferuar në rajon për furnizimin me karburant.
Superjahti ka kërkuar të ndalojë në portin më të madh shqiptar për t’u furnizuar me 170 mijë litra karburant, para se të rinisë lundrimin drejt Italisë. Me një vlerë prej 500 milion dollarësh dhe prodhim i vitit 2023, ai është jahti i dytë më i madh me vela në botë dhe jahti më i gjatë i ndërtuar në Holandë me një gjatësi prej 127 metrash.
Jahti u dorëzua në Mallorca në prill të këtij viti dhe përdor energjinë kinetike të gjeneruar nga velat, por si shumica e jahteve me vela, ai përdor dhe fuqinë motorike.
Me vendimin e Qeverisë shqiptare për heqjen e akcizës për karburantin për jahtet, ai shitet me çmimin prej 52 lekësh për litër, katër herë më lirë se çmimi i naftës në treg, ku sot ajo po shkon deri në 210 lekë.