Besnik P. është një qytetar në Tiranë, të cilit i duhej një vërtetim prone për të marrë kredi në bankë. Për shkak se fondet i duheshin shpejt vendosi që të aplikojë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës me shërbimin e përshpejtuar “fast track.”
Shërbimi fast track e detyron Kadastrën të kthejë përgjigje brenda 24 orësh nga kryerja e aplikimit. Në këmbim qytetarët paguajnë një tarifë dy herë më shumë se sa tarifa normale. Për shembull në rastin e planshetës së hartës kadastrale, nga 5 mijë lekë që është tarifa normale, me shërbimin fast track paguhet 10 mijë lekë. Aplikimi i Besnikut është bërë para tre javësh, por përgjigja nuk ka ardhur ende.
Prej disa muajsh Kadastra është duke zhvatur me mijëra qytetarë përmes tarifave të aplikimeve që nuk u jep përgjigje. Një noter në Tiranë i tha Oligarkia.al se në zyrën e tij gjenden aktualisht mbi 50 aplikime fast track që nuk marrin përgjigje prej javësh ose marrin përgjigje të gabuar.
“Çdo ditë në zyrën time ka me dhjetra njerëz, që kërkojnë paratë mbrapsht. Sepse klientet e dinë se tarifat e arkëton noteri. Por paratë po e tyre po i vjedh Kadastra,” tha noteri, që nuk donte të identifikohej.
Miliona lekë të vjedhura
Ajo që po ndodh është në fakt një vjedhje shtetërore në shkallë industriale. Nuk janë vetëm aplikimet fast track, përmes të cilave Kadastra po zhvat qytetarët. E njëjta gjë po ndodh edhe me aplikimet e zakonshme.
Një pjesë e madhe e aplikimeve marrin përgjigje, që nuk kanë lidhje me kërkesën. Fjala vjen, një qytetar bën aplikim për kartelën e pasurisë, por Kadastra i lëshon hartë treguese. Edhe pse e ka paguar një herë tarifën, qytetari detyrohet të paguajë sërish për të marrë atë që kërkonte.
Në shumë raste përgjigja vjen që nuk keni depozituar dokumentacionin e plotë.
“Aplikimet i bëjmë ne duke depozituar çdo dokument që kërkohet,- vijon noteri- por Kadastra kthen përgjigje se nuk janë depozituar dokumentat.” Si rezultat qytetarët detyrohen sërish të aplikojnë duke e paguar prapë tarifën.
Në disa raste, kjo mund të përsëritet disa herë. Qytetarët paguajnë tarifat, por përgjigje nuk marrin. Janë miliona e milona që po zhvaten nga korrupsioni ndërinstitucional mes Kadastrës dhe AKSHI-t.