Një minator është plagosur gjatë punës në një minierë në Bulqizë, ndërsa ngjarja dyshohet se është tentuar të fshihet.
Minatori me inicialet Sh.Ç, 60-vjeç, pasi është plagosur në galeri, është transportuar nga një person i cili e ka lënë në hyrje të spitalit të Dibrës. Pas konstatimit të plagëve të shumta, ai është nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë ku mësohet se është në gjendje kome.
Sakaq, policia ka arritur të identifikojë dhe ka shoqëruar personin që e ka transportuar minatorin.
Kanë qenë familjarët e minatorit që kanë denoncuar rastin.
Sakaq, policia ka reaguar rreth një ditë pasi ngjarja u publikua në media dhe thotë se po punon për zbardhjen e rrethanave.
“Rreth orës 19:30, të mbrëmjes së djeshme, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Peshkopisë, shtetasi Sh. C., 60 vjeç, me profesion minator, i punësuar në një subjekt minerar, në Bulqizë. 60-vjeçari është transportuar për ndihmë më të specializuar, në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thotë policia.