Skandali i inceneratorit të Tiranës vetëm zgjerohet duke përfshirë edhe segmente të tjera të shtetit. Administrata tatimore ka toleruar kompaninë Integrated Energy, që të akumulojë 4 milionë euro taksa të papaguara, gjatë kohës që administrohej nga privatët.
Oligarkia.al shkruan duke iu referuar një dokumenti zyrtar të Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve mbi detyrimet e papaguara që koncesionari i inceneratorit të Tiranës ka lënë në shtet. Sipas dokumentit, këto detyrime janë akumuluar në vite, kryesisht në formën e tatim fitimit dhe tvsh-së së papaguar.
Përballë kësaj situate, në prill të këtij viti, Tatimet dhe kompania Integrated Energy nënshkruan një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste. Kompania kishte 5 milionë euro borxhe tëprapambetura dhe sipas marrëshjes pagoi 20 për qind të shumës menjeherë, ndërkohë që pjesa tjetër e detyrimit do të shlyhej me këste mujore. Por në Korrik, kësti nuk u pagua, ndërkohë që në datën 1 gusht kompania u sekustrua nga SPAK dhe u vendos nën administrim shtetëror.
Tashmë që kompania administrohet nga shteti, Tatimet po i kërcasin dhëmbët duke e kërcënuar me bllokim të llogarive, ndonëse sa ishte në administrim privat e toleroi të krijonte borxhe masive. Madje e toleruan edhe të lëvizte paratë nga llogaritë e saj, pasi kur kompania u mor në administrim nga shteti, në llogaritë e saj u gjendën vetëm 200 mijë lekë dhe më pak se 1 mijë euro.
Kredi në banka
Borxhet e papaguara në Tatime nuk janë detyrimet e vetme që kompania ka lënë pas. Veç tyre janë dhe gati 12 milionë euro kredi të marra nga bankat private në vend.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këto detyrime, ndërkohë që nuk përjashtohet se mes shtetit dhe bankave të lindë edhe një konflikt për shlyerjen e tyre. Të paktën derisa gjykata të vulosë fatin përfundimtar të kompanisë koncesionare pas gjykimit në të gjitha shkallët.
Përtej kësaj, janë dhe detyrimet që kompania ka lënë ndaj furnitorëve të saj, për të cilat ende nuk ka një bilanc përfundimtar, teksa pasqyrat financiare të Integrated janë duke u verifikuar nga shteti.
Vonesa në pagesa
Në fillim të këtij muaji, administratori shtetëror i kompanisë që menaxhon landfillin e Sharrës hodhi alarmin se disa bashki nuk po paguanin prej muajsh faturat e depozitimit të mbetjeve.
“Një problematikë që pamë nga situata që shikojmë aty dhe nga informacionet e shpejta që kemi marrë është që bashkitë e qarkut të Tiranës janë akoma debitorë tek kjo shoqëri. Po bëhet muaji i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet,” tha Arjan Baçi.
Fatura më e madhe i përket padyshim Bashkisë së Tiranës, e cila është dhe ajo që ka sasinë më të madhe të mbetjeve. Kjo bashki paguan mesatarisht 800 mijë euro në muaj për depozitimin e mbetjeve në landfill. Por të dhënat nga thesari tregojnë se fatura e fundit e shlyer është ajo e muajit maj.
Sipas administratorit, këto vonesa në shlyerjen e faturave nga bashkitë do të vendosnin në vështirësi menaxhimin e landfillit. “Kemi filluar t’i kontaktojmë dhe t’i dërgojmë shkresat përkatëse për t’i vënë para përgjegjësisë që kemi një kontratë të lidhur, e cila duhet të zbatohet. Moszbatimi i kësaj kontrate do të sillte një kaos në menaxhimin e të gjithë mbetjeve urbane në qarkun e Tiranës”, u shpreh Baçi.
Beteja për fondet
Në fund të vitit ta kaluar, kur u miratua buxheti i këtij viti, ministria e Financave shkurtoi në mënyrë drastike fondet që jep për Bashkinë e Tiranës si mbështetje për koncesionin e inceneratorit.
Vitet e kaluara buxheti kishte kaluar mesatarisht 500-700 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës si mbështetje që ajo të paguajë faturën e depozitimit të mbetjeve në landfill. Por këtë vit shuma u shkurtua në 200 milionë.
Në kohën kur u hartua buxheti, SPAK kishte filluar të hetonte kompaninë dhe askush nuk guxoi të kërkonte fonde më shumë për inceneratorin. Ndryshe nga vitet e kaluar, kur deputetët amendonin dhe planin e të ardhurave për t’i dhënë më shumë fonde inceneratorit nga buxheti qëndror siç ishte rasti i Klotilda Bushkës, e cila propozoi rritjen e planit të TVSH-së me 4 milionë euro për t’ia dhënë inceneratorit.