Shërbimi celular dhe ai i internetit është zero, por kompania ONE Albania nuk nguron të çojë nëpër gjyqe e zyra përmbarimi abonentët që janë larguar. Mijëra qytetarë janë prej muajsh në hall për shkak të sistemit të ONE Albania dhe në kushtet kur institucionet shtetërore kanë “kyçur gojën”, ata u janë drejtuar mediave.
Newsbomb.al u ka dhënë zë këtyre shqetësimeve të dokumentuara dhe në fund të këtij artikulli janë bashkëlidhur të gjithë artikujt investigativ dhe denoncimet që në kemi ndjekur prej muajsh, të kompanisë celulare ONE Albania.
Rasti i fundit ka të bëjë me një qytetar që edhe përse ishte larguar prej tre vitesh nga kompania në fjalë, në kohën kur ajo ishte ende Telekom.al, ditët e fundit ai është telefonuar nga një zyrë përmbarimi dhe i është kërkuar të shlyej një pagesë prej 124 mijë lekësh.
Edhe përse kontrata rezulton se është mbyllur më datë 21.10.2021, qytetari është njoftuar dy vjet më pas se kishte për të paguar një detyrim të majmë. Madje, ONE Albania as që e kishte kontaktuar për të kryer verifikime, por emrin dhe të dhënat e tij ia ka përcjell një kompanie përmbarimore.
Ne disponojmë dokumentet që qytetari ka dërguar në redaksi, por për të ruajtur të dhënat personale, emri është censuruar.
Zyra përmbarimore e kontraktuar nga kompania celulare në fjalë e ka telefonuar disa herë këtë shtetas, duke i bërë presione për të paguar detyrimin, ose në të kundërt do të shkonte në gjyq dhe rrezikonte burgun. Përmbaruesi nuk ka marrë parasysh pretendimet e abonentit, i cili rezulton se e ka mbyllur kontratën dy vite më parë.
Në kushtet kur këto presione kanë qenë të vazhdueshme dhe qytetarit në fjalë i është kërkuar që “ta paguajë vullnetarisht” detyrimin e prapambetur prej 124 mijë lekësh sepse do të shkonte në gjyq, ky i fundit ka bërë pagesën dhe na ka vënë në dispozicion dokumentet.
I pambrojtur nga autoritetet shtetërore që kanë “kyçur gojën” dhe kanë e kanë lënë ONE Albania “të shijë lirshëm”, abonenti është detyruar të paguajë për herë të dytë një detyrim që e kishte mbyllur në vitin 2021. Newsbomb.al i ka bërë disa herë thirrje Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të marrin masa, pasi abonentët dhe qytetarët shqiptarë po liheshin të pambrojtur në duart e kompanisë celulare.
Deri më sot, për më shumë se 5 muaj, nuk ka asnjë reagim dhe arsyet se përse askush nuk reagon ndaj ONE Albania nuk i dimë. Mjafton të futesh në faqen zyrtare në Facebook të kompanisë në fjalë dhe sheh me qindra e mijëra komente nga qytetarë të zhgënjyer, që kanë rrëzuar fasadën se ONE është rrjeti i parë dhe më cilësor në vend.
Një rast të ngjashëm me qytetarin që i është drejtuar Newsbomb.al, ka pasur dhe gazetari i njohur Klodian Tomorri. Një kompani përmbarimore e kishte telefonuar dhe i kërkonte të paguante një detyrim prej 200 eurosh, për një numër që nuk e kishte përdorur asnjëherë.
“Me merr ne telefon nje kompani nga keto shushunjat, qe mbledhin borxhet dhe me thote ju jeni debitor ne ONE per nje shume prej 200 euro”, shkruante Tomorri dy muaj më parë. Ne e kemi trajtuar rastin e tij, bashkë me atë të kolegut tjetër Enrik Mehmeti, i cili edhe përse kërkonte të mbyllte kontratën, ONE Albania e refuzonte.
Kanë qenë të shumta dhe rastet e gazetarëve të tjerë dhe personazheve të njohur që kanë denoncuar abuzimet e kompanisë celulare, madje kanë përdorur dhe ndikimin e tyre për të tërhequr vëmendjen e institucioneve shtetërore, por askush nuk e ka prishur terezinë.
Ose, ose nuk guxojnë të veprojnë e të marrin asnjë masë për arsye që dihen botërisht dhe fliten nën zë, se pas ONE Albania qëndrojnë familjarë të një politikani socialist shumë të njohur dhe me ndikim të fortë në media. /Newsbomb