Kryeministri Edi Rama ka vënë prej disa ditësh në shënjestër kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri. Pasi tha në Kamëz se sekserë për të kërcënojnë emigrantët, Rama foli me emra nga Parku Olimpik në Tiranë, ku mbylli edhe fushatën e PS-së në kryeqytet.
Rama u shpreh se do të merret personalisht me Spiro Kokën dhe Napolon Çakallin pas 14 Majit. Ai u shpreh se këta persona kanë kërcënuar emigrantët se po votuan për Jorgo Goron e PS-së do t’u grisin letrat në Greqi.
Kryeministri tha se ai është avokati më i madh i shqiptarëve në Greqi dhe i minoritetit grek në Shqipëri. Ndërsa për Belerin tha se është akuzuar për vrasje të ushtarakëve shqiptarë.
“Tani po i them këtu dy njerëzve që quhen Spiro Koka dhe Napolon Çakalli që janë sekserë të këtij dhe që marrin në telefon emigrantët që duan të vijnë të votojnë, ose duke i kërcënuar që po erdhën të votojnë për Jorgo Goron dhe për PS-në do t’ju grisin letrat e qëndrimit atje, ose po nuk erdhën të votojnë për këtë maskara dhe për platformën e tij të poshtë, do t’i kthejnë mbrapsht se pas 14 Majit unë do merrem personalisht me ata të dy. Dhe i them të gjithë emigrantëve që duan të vijnë të votojnë në Himarë. Jeni të lirë të vini të votoni për kë të doni, është e drejta juaj. Nëse do ta hani sapunin me dhjam të atij maskarai për djathë është e drejta juaj, por ama askush nuk duhet ta çojë as nëpër mend se ka çakall, se ka kokë, se ka beler e agallarë që ju prekin atyre letrat e emigracionit. Sepse avokati dhe mbrojtësi më i madh i minoritetit grek në Shqipëri jam unë, qeveria shqiptare dhe PS-ja. Dhe avokati dhe mbrojtësi më i madh i komunitetit shqiptar në Greqi jam unë, qeveria shqiptare dhe PS-ja. Jo një maskara, një honxho ponxho, një njeri i akuzuar për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në Peshkëpi, një injorant që nuk meriton të jetojë në Himarë, jo më të votohet në Himarë. Megjithatë për të jetuar dhe të vazhdojë të jetojë se çdo fshat ka budallain e vet, por votën e dinë vetë himariotët”, tha Rama.
Sipas Ramës, ky është shembulli që përfaqëson, ajo që e quan “faqja e zezë Sal-Like floriri”.
Sa i përket çështjes së pronave në Himarë, Rama tha se u zgjidh nga qeveria.
“Çështjen e pronave në Himarë e bëri lesh dhe li faqja e zezë e Shqipërisë kur ishte në pushtet dhe në atë kohë u shfaqën në Himarë pronarë që e shihnin detin për herë të parë dhe paraardhësit e të cilëve nuk kishin shkelur kurrë në Himarë. E dyta, çështja e pronave në Himarë është trajtuar nga ne, është zgjidhur nga ne. Është vendosur pikë për pikë në ligjet tona dhe ka filluar të kthehet në certifikata pronësie për banorët e Himarës falë bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë, edhe me banorët, edhe me përfaqësuesit e komunitetit himariot në Amerikë, të cilët ndihen me origjinë greke, të cilët janë grekë me origjinë nga Himarë më saktë dhe në atë bashkëpunim, pengesa më e madhe, problemi më i madh ishin shpifjet, ishin ngatërresat, ishin fabrikimet e këtij maskarai që me një grup pseudo himariotësh thoshte pa pikën e turpit po e zgjidhi Edi Rama dhe po e zgjidhën këta, domethënë ne, çështjen e pronave të Himarës, ne nuk e marrim kurrë pushtetin dhe nuk e helenizojmë dot Himarën”, tha Rama.