Nga Xhensil Shkëmbi
Culin nuk e duroj dot. Sidomos kur ulem për kafe nga Pazari, fillon dhe flet pa pushim e bëhet i bezdisur. Vjen era raki, disa herë i palarë, kërkon lëmoshë.
Sot isha shumë i lodhur, po ecja në pedonale dhe pashë Culin që po kërkonte cigare. Unë nuk e pi duhanin por vendosa t’i merrja dikujt që po pinte kafe në Irish Pub e t’ia jepja. Po kërkonte pa thirrur, i qetë, nuk ishte llafazan, ishte i larë, si tjetër njeri sot.
Mirë mo, se të tërë Culi të thonë, po emrin askush s’ta di. E mban emrin tënd apo hiç?
Ue. Budalla më di mua o? Mersur Goskova. Nga Goskova e Korçës jam.
Po ti si budalla shtiresh, pastaj gjithë herët kur unë të shoh, je i pirë.
U mërzite ti se pi unë ë?
Jo bre Culi, po je më i mirë i papirë.
E di, se kështu më japin më shumë cigare e lek, po s’më rrihet pa pirë. E kam mësuar kur me vdiq babai.
Nga se vdiq yt atë?
Nga mamaja. E çmendi ajo. Pastaj u plak dhe vdiq.
Po ç’ne që je larë sot, nuk ke pirë, nuk thërret? Si më ndryshe sot.
Ka zgjedhje mo. Kur më vijnë në lagje, u jap ato numrat e kartës së identitetit. Edhe më japin ngahera, kush 10, kush 20-çe.
Po pse lahesh?
Lahem që të më besojnë që do vete te votoj bre. Se po piva thonë ; “Ky budallai nuk di të votojë”. Kështu më besojnë që jam në metro.
Mirë o Culi mirë. Vetëm mos thërrit më.
Do thërras.
Pse?
Po do mbarojnë o zgjedhjet…