Zbardhen detaje të reja lidhur me çështjen Ruben Saraiva, portugezin që kishte rolin e ekzekutorit në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, mësohet se ka udhëtuar nga Greqia drejt Marokut ku edhe u arrestua, një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Mirëpo nga ana tjetër, burime bëjnë me dije se Interpol Maroku ka dërguar një mesazh të hënën ndaj homologëve shqiptar, me përmbajtje: “Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.
Praktikisht ky është edhe mesazhi që informon palën shqiptare për arrestimin e të shumëkërkuarit dhe njëherësh kërkon të dhëna për rrethanat e çështjes dhe argumentet mbi veprat penale për të cilat akuzohet nga Shqipëria.
Sa i përket marrëveshjes së ekstradimeve që mungon me këtë shtet, autoritetet përkatëse në të kaluarën kanë përdorur në disa raste parimin e reciprocitetit të ndërsjellë.
Kjo do të thotë, se ekziston varianti që Saraiva të shkëmbehet me ndonjë person të shpallur në kërkim nga autoritetet marokene dhe që mund të jetë ndaluar në Shqipëri.
Ndërkohë, ky person ka disa nga anëtarët e familjes së tij në Marok dhe me sa duket ka qenë i informuar edhe sa i përket mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi me Shqipërinë të këtij shteti, duke e zgjedhur si vend ku do të vijonte arratinë e tij.