Mjekja hematologe, Ariana Dragoti ka treguar kush janë zonat me rrezikshmëri më të lartë për sëmundjet e gjakut.
Mjekja u shpreh se Lushnja është zona ku ka më shumë persona të prekur nga talasemia ose sëmundje të lindura të gjakut, dhe pas këtij qyteti renditet Fieri e Kavaja.
Sipas hematologes Dragoti, kjo për shkak se në këto qytete ka qenë e përhapur sëmundja e malaries.
“Lushnja futet në ato zona në të cilën ka një prekje të madhe të personave të cilët preken nga talasemia ose sëmundje të lindura të gjakut.
Kjo vjen për shkak se Lushnja, Fieri e Kavaja ka qenë zona të prekura nga malaria, si pasojë ka pasur persona të prekur nga talasemia.
Ne kemi jo vetëm talaseminë, por edhe sëmundje të tjera të gjakut. Me talasemi kemi afërsisht 90 pacientë, ku 20 prej tyre janë të mitur, janë të detyruar të paraqiten në spitalin tonë për të marrë gjak rregullisht. Kjo është e vetmja mënyrë që ata të mund të jetojnë njësoj si të tjerët.