Ish-deputetja dhe ish-ministrja e PS Arta Dade ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola” në News24, ku ndër të tjera foli për përvojën e saj në politikë dhe se si Partia Socialiste po degradon ndër vite.
Si krizën më të madhe gjatë demokracisë Arta Dade cilësoi parlamentin e vitit’ 97, duke theksuar se kanë qenë kohë shumë të vështira pasoja e të cilave ndihen edhe sot.
Dade u shpreh e keqardhur që Partia Socialiste nga partia më moderne me Nanon kryetar, tashmë është kthyer në një parti me një frymë ku vendos kryetari. “Partia Socialiste me Fatos Nanon kryetar krijoi një të majtë moderne. Brenda partisë debati edhe për çështjet më të nxehta ishte pa asnjë lloj doreze. PS-ja, deri në kohën që kam qenë pjesë, ka qenë partia më moderne dhe më e demokratizuar brenda strukturave. Qe fryma e përgjithshme e Fatosit, madje edhe kur ishte në burg si i dënuar politik, por edhe koleget e tjerë që e drejtuan partinë kishin një mendësi ndryshe nga të gjitha partitë”.
Ikjen e Nanos e cilësoi një rast për t’u shënuar, pasi sipas Dades kushdo që humbet zgjedhjet duhet të largohet. “Besoj se ishte një ikje shumë e hershme, sepse ishte 53 vjeç, dhe kishte ende për t’i dhënë vendit, përtej rezervave që unë mund të kem për të”, tha ajo, duke shtuar se Nano kur dha dorëheqjen nuk mendoi ikjen e tij përfundimtare. “Fatosi kishte një version tjetër, ai mendonte se PS-ja mund të drejtohej me rotacion me 5-6 personalitete”.\
Lidhur me gjendjen e PS-së sot, 6 vite pasi ajo është larguar, Dade tha se do të dëshironte të kishte më shumë debat. “Çdo parti konsumohet duke qenë në qeverisje. Është mandati i tretë dhe patjetër që ka vërejtje, por problemi i Shqipërisë është që nuk ka alternativë tjetër dhe për këtë unë jam e shqetësuar. Edhe në zgjedhjet e tanishme shikoj se opozita është shumë anemike, përpos faktin që ka në krye një njeri që nuk do t’i çojë askurrkund”.