Ministria e Drejtësisë konfirmon dërgimin e letërporosisë në Kenia lidhur me vdekjen misterioze të Joy Aokos, ndërsa po pritet përcaktimi përfundimtar i shkaqeve të vdekjes.
Në Shqipëri, janë caktuar 3 ekspertë që po merren me zbërthimin e akt-ekspertizës rreth dinamikës së ngjarjes dhe plagëve në trupin e të resë nga Kenia.
Përfundimet e këtyre të fundit, me mbërritjen e përgjigjes nga shteti lindor i Afrikës, do të analizohen së bashku për të gjetur një version përfundimtar të ngjarjes.
Hetuesit shqiptar po verifikojnë disa aparate celulare, mes të cilëve edhe ai i shtetasit Rodi Baçi, ish-shoferi i kazinosë ku punonte e reja dhe i përfolur si ish-i dashuri i viktimës me të cilën “kishte raporte problematike”. Deri tani ende nuk konfirmohet përftimi i ndonjë elementi me vlerë dhe përcaktues nga kontaktet e viktimës me persona të dyshimtë të përfshirë në ngjarje.
Ndërkohë, lidhur me shoqërimin e disa personave disa ditë më parë, kur përveç Baçit, janë pyetur edhe disa shokë të tij, mësohet se qëllimi ka qenë për të ndeshur gjatë marrjes në pyetje ndonjë element të dyshimtë apo kontradiktor që mund ti çonte hetuesit drejt një piste konkrete për ngjarjen. Pavarësisht insistimit për disa orë, asnjë prej tyre nuk ka shfaqur kontradita apo të ketë ngjallur dyshime se mund të kenë dijeni, arsye për të cilën edhe janë lënë të lirë.
Pavarësisht mos përjashtimit të asnjë versioni, ata besojnë se Aoko ka rënë nga lartësia në vendin ku është gjetur, por shtojnë se është mjaft e vështirë të përcaktohet nëse është shtyrë, ka qenë incident nga pakujdesia e të resë apo veprim në kushtet e ekstremitetit që viktima ta ketë marrë vetë. Por edhe në këtë rast, hetuesit përfshijnë në versionet e mundshme, që e reja të jetë nxitur ta kryente një veprim të tillë.