Vrasja e biznesmenit Adian Nikulajt në Shëngjin më 19 prill, ishte një ngjarje që tronditi opinionin.
Emisioni “Në Shënjestër” ka siguruar dosjen e hetimore në lidhje me ngjarjen.
Nuk ka qenë normalitet përdorimi i shtetasve të huaj për eliminimin e kundërshtarëve brenda territorit shqiptar, por vrasja e Nikulaj solli në vëmendje edhe një fenomen të tillë, ku thuajse të gjithë pjesëtarët e ekipit që organizoi vrasjen e biznesmenit, ishin me shtetësi të huaj.
Mes tyre ishte edhe Ruben Saraiva, një portugez 28-vjeçar, i apasionuar pas motorëve.
Ai cili shkeli në tokën shqiptare në orën 19:26 të datës 14 shkurt 2023 dhe qarkullonte lirshëm në fshatin Kakarriq të Lezhës, zonat përreth, por edhe në Shkodër.
Saraiva u kamuflua si një turist i huaj, i apasionuar pas shëtitjeve, të paktën kështu e njihnin deri në momentin që emri i tij nisi të lakohej si vrasësi i biznesmenit dhe politikanit vendor Ardian Nikulaj, krim ky që u konsumua mesditën e datës 19 prill 2023 në lokalin në pronësi të viktimës.
Ajo që u zbulua më pas është një nga historitë më të rralla dhe intriguese se si 5 të huaj, 4 prej tyre shtetas britanikë dhe një portugez, u kontraktuan me siguri kundrejt një pagese, për të vrarë një personazh të plotfuqishëm i cili bënte ligjin në zonën e Lezhës dhe që e cilësonte vetveten si të paprekshëm.
Histori e rrallë për vetë faktin se asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që në vrasje të përmasave të tilla të përfshiheshin kaq shumë të huaj njëkohësisht.
Përfshirje e të huajve në vrasje me pagesë në Shqipëri, ishin përfolur më herët, por kurrë nuk ishte dokumentuar përfshirja e tyre të paktën në këtë masë.
Por si mbërritën këta të huaj në Shqipëri?
Si mundën ata të ishin të padukshëm dhe të mos binin në sy deri ditën që në bashkëpunim kryen vrasjen e Ardian Nikulaj, madje, të mos pikaseshin as nga vetë njerëzit e viktimës, që njihej në zonë si një i fortë i rëndësishëm lokal?
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ i pari që mbërriti në Shqipëri, ishte porositësi dhe organizatori i kësaj vrasje, Edmond Haxhia, një 37 vjeçar me shtetësi britanike.
Ai kishte lindur në Lezhë, por pas hasmërisë që fisi Lekstakaj ku ishte nip kishte me Nikulajt, kish emigruar prej vitesh në Britaninë e Madhe, aty ku nuk dihet se cili ishte aktiviteti i tij i vërtetë.
Kjo hasmëri kishte lindur që në vitin e largët 1997, ndërsa si pasojë e saj ishin shkaktuar shumë viktima.
Për policinë ishte krijuar ideja ë kjo hasmëri ishte shuar, por se kjo duket se nuk rezultoi e vërtetë
për fisin Lekstakaj.
Por si mundi Edmond Haxhia të kamuflonte qëllimin e tij?
A ishte fejesa e tij, pjesë e planit për të organizuar vrasjen?
Sipas dosjes hetimore Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri më datë 24 Nëntor 2022.
Vetëm dy ditë më pas, më 26 Nëntor ai rezulton se u fejua me shtetasen V.D., gjë e cila konfirmohet edhe nga vetë e fejuara e tij.
Nëpërmjet dëshmisë në polici ajo tregoi detaje që ndihmuan grupin hetues, të shkojë drejt zbardhjes së vrasjes dhe mënyrës se si u organizua ardhja e të huajve në Shqipëri, të cilët më pas do të kishin rolin e vëzhguesit dhe ekzekutorit të vrasjes.
Sipas të fejuarës së Edmond Haxhias, gjithçka duket se rrodhi normalisht pas fejesës së tyre dhe si një çift i ri, të dy ata shëtitën gjatë në disa qytete të Shqipërisë.
Por përpara se të mbërrinin te rrëfimi i të fejuarës së atij që tashmë cilësohet si truri i organizimit të vrasjes së Ardian Nikulaj, grupi hetues u ndal fillimisht te pamjet filmike të lokalit ku ndodhi krimi.
Aty, ku nga verifikimi i kamerave të sigurisë në lokalin ‘Coral’, u konstatuan edhe lëvizjet e dyshimta të një turisti të huaj.
Lëvizje që duket se filluan pothuaj 1 orë e 30 minuta para konsumimit të vrasjes, ku një person i cili në dukje shfaqet i interesuar për lojën e bilardos, here pas here kthen kokën dhe kryen rolin e vëzhguesit.
“Nga ora 12:20 deri në orën 13:11, personi largohet dhe afrohet disa herë në verandën e lokalit ‘Coral’. Në orën 13:17:15, pesë minuta përpara ngjarjes, ai fiksohet duke folur shpesh dhe gjatë në telefon dhe duke konsumuar një birrë.
Në orën 13:23:19, ai ngrihet nga karrigia, merr birrën që kishte në tokë dhe largohet me vrap të lehtë nga lulishtja për në shëtitore”, thuhet në dosjen hetimore.
Këto lëvizje të pazakonta të turistit të huaj, u vunë re edhe nga kamerieri i lokalit, i cili tha për grupin hetues, se i bëri përshtypje sjellja e shtetasi britanik, por nuk i dha rëndësinë e duhur për të kuptuar qëllimin e tij.
“Në momentin e ngjarjes, unë isha i ulur pranë banakut duke folur me banakierin. Pronari Ardiani, ndodhej i ulur vetëm në tavolinë përballë banakut.
Në këtë kohë brenda lokalit u fut një person mashkull, rreth 1.85 cm i gjatë, i veshur me jelek të verdhë, me skafandër në kokë, i shëndetshëm i cili qëlloi me armë zjarri në drejtim të Ardianit, dhe më pas u largua me nxitim nga lokali.
Ditën e ngjarjes, nuk e mbaj mend saktësisht orën, në lokal hyri një shtetas i huaj, i cili komunikonte anglisht dhe porositi disa birra.
Më bëri përshtypje pasi personi në fjalë bënte lëvizje të dyshimta, duke lëvizur disa herë brenda dhe jashtë verandës së lokalit duke komunikuar në telefon dhe dukej që nuk ishte i qetë”, thuhet në dëshminë e kamerierit të lokalit.
Pak a shumë të njëjtën dëshmi dha edhe banakieri i lokalit ku ndodhi krimi, por ndryshe nga kamerieri ai dha në rrëfimin e tij për grupin hetues një detaj interesant me vlerë për zbardhjen e ngjarjes..
“Fillimisht personi që më pas qëlloi, më përshëndeti mua dhe kamerierin duke na thënë ‘si e kalut’.
Në këtë moment ne nuk e kishim shumë mendjen te ai, sepse po flisja me kamerierin.
Pasi u përshëndet me ne, personi me skafandër dhe jelek të verdhë, u afrua te tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi nxori armën nga çanta nisi të qëllojë ndaj tij”, dëshmon banakieri.
Ajo që çoi grupin hetues në identifikimin e shpejtë të ekzekutorit dhe më pas të vëzhguesve dhe organizatorit të vrasjes së Nikulaj, ishte itinerari që vrasësi, një shtetas portugez i identifikuar si Ruben Saraiva ndoqi përgjatë ditëve të fundit.
Ai kishte intensifikuar lëvizjet me motor drejt vendit të krimit, por ajo që duket se e tradhtoi ishte gjuha e përdorur gjatë furnizimit të motorit me benzinë në një nga pikat e karburantit në Lezhë.
“Nga data 17 prill deri më 19 Prill 2023 ekzekutori me karakteristikat dhe të njëjtin motor, me ngjyrë gri, me targa EPP480, fokusohet teksa lëviz fillimisht me datë 17 Prill 2023, në itinerarin Gocaj-Balldre-Lezhë-Shëngjin.
Pasi mbërrin në orën 15:48 ai parkon motorin tek parkimi i kompleksit të pallateve ‘Bardh e Blu’ që ndodhet shumë pranë lokalit të viktimës “Coral”, futet tek seksioni ‘D’, ku qëndron deri rreth orës 19:31, kohë kur largohet përsëri me të njëjtin motor në të njëjtin itinerar”, thuhet në dosjen hetimore.
Të njëjtën rrugë vrasësi kreu edhe më datë 18 prill, duke u ndalur në Shëngjin në të njëjtat vende ku kishte qëndruar edhe një ditë më parë, fare pranë lokalit ‘Coral’ në pronësi të viktimës, Ardian Nikulaj.