Policia shpall ne kerkim biznesmenin Marin Gjonaj të Gjonaj Group pas operacionit ndaj dy fermave të Bitcoin
Dy laboratorë për prodhimin e kriptomonedhave janë sekuestruar në Shijak, ndërsa janë arrestuar 3 persona si dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë. Mësohet se nga operacioni ‘Kriptofarm’, në pranga kanë rënë Liserxhio Xhaferaj , Rramush Dumani dhe Ardian Çekiçi.
Ndërsa një nga të shpallurit në kërkim, Enxhi Hasa, është administratore e kompanisë ‘CRYPTO WORLD 2’. Po ashtu janë shpallur në kërkim edhe Marin Gjonaj dhe Thoma Zbogo.
Këta persona kishin ngritur 2 laboratorë për prodhimin e kriptomonedhave, një në fshatin Pjezë dhe tjetri në fshatin Fllakë, teksa kishin investuar 1 milion euro për ngritjen e strukturave.
Ndryshe nga rastet e tjera të prodhimit të kriptomonedhave në vend, këta persona nuk vidhnin energji elektrike, por rrymën e nevojshme e siguronin nëpërmjet paneleve diellore.
Sipas Policisë, ata kishin kërkuar të regjistronin aktivitetin e tyre, por nuk ishin legalizuar pasi Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare nuk i kishte lejuar.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi 631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme dhe dokumenta të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme etj.
Policia duket se ka nisur një operacion të gjerë kundër laboratorëve që merren me prodhimin e kriptomonedhave, ku një ditë më parë një rast i tillë u godit po në Shijak, ku u arrestua edhe një person. /Korrieri