
Everest (Ibrahim) Çaka u ekzekutua me 12 plumba më 11 maj në makinë, në sy të gruas më 11 maj 2021. Çaka kishte lidhje familjare me vëllezërit Arben Spahiu, Ardit (Arjan) Spahiu dhe Rigers Spahiu, kjo ka qenë dhe arsyeja që ky shtetas është futur në listë për t’u vrarë nga organizata Çopja, pikërisht për të eliminuar njerëzit që i rrinin afër grupit Alibej.
Në bisedat e zhvilluara në aplikacionin Sky ECC nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Mikael Qosja (Kamami), Guri Biba, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, janë përftuar të dhëna lidhur me ndjekjen dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e shtetasit Everest (Ibrahim) Çaka në qytetin e Elbasanit, ku rezulton se ndjekja e tij ka filluar që në janar të vitit 2020 dhe ka vijuar deri në nëntor të vitit 2020.
Më datë 13.01.2020, shtetasi Mikael Qosja (Kamami) bisedon me shtetasin Franc Gergely (Çopja), të cilit i tregon se ‘xhuxhi’ (Everest Çaka) ka ikur në qytetin e Tiranës pasdite pa u errësuar. Më datë 16.01.2020, shtetasi Mikael Qosja (Kamami) bisedon me shtetasin Franc Gergely (Çopja), të cilit i dërgon një bisedë të zhvilluar ndërmjet tij dhe shtetasit Guri Biba, për të cilin i tregon shtetasit Franc Gergely (Çopja), se Guri Biba e shikon çdo ditë ‘xhuxhin’.
Guri Biba: Hjy. O vlla, po ai xhuxhi qe me ke sjell ne foto është ktu në Elbasan
Mikael Qosja: Po
Guri Biba: Se e kam pa dhe dje
Mikael Qosja: Bani i foto lokalit nsr. Edhe ma bjer qe ti baj salva. Po kujdes, çoje te shigjeta, shiko mir.
Guri Biba: Po e di
Mikael Qosja: Mos të shikoj njeri
Guri Biba: Do ti baj në mgjes un vlla
Guri Biba: E pash sot nga ora 6
Në vijim të bisedave ndërmjet tyre shtetasi Mikael Qosja (Kamami) e pyet shtetasin Franc Gergely (Çopja) nëse duhet ta mbarojnë (ekzekutojnë) xhuxhin (Everest Çaka). Sipas shtetasit Mikael Qosja (Kamami) është më mirë ta mbarojnë direkt (ta ekzekutojnë) dhe e kanë mendjen e fjetur nga kjo anë. Gjithashtu, nga biseda evidentohet se, me datë 16.01.2020 shtetasi Mikael Qosja (Kamami) ka përgatitur planin për ekzekutimin e shtetasit Everest Çaka. Më datë 16.01.2020, shtetasit Mikael Qosja (Kamami) i dërgon shtetasit Franc Gergely mesazhin me këtë përmbajtje: “Po e pergatis per xhuxhin pra”.
Më datë 29.11.2020, shtetasi Mikael Qosja (Kamami), ka informuar shtetasin Franc Gergely, lidhur me atentatin ndaj shtetasit Irfan Azizi. Nga përmbajtja e kësaj bisede rezulton se, shtetasi Maksim Koçi ka qenë një nga personat që ka marrë pjesë në ngjarjen e datës 20.11.2020, ku ka patur rolin e ekzekutorit. Nga biseda evidentohet se ai nuk ka goditur pasi goditjen e ka bërë personi tjetër (Altin Kamami) pasi ka qenë shumë afër. Shtetasi Mikael Kamami shprehet i pakënaqur duke i thënë se duhet të godiste edhe ai (Maksim Koçi). Gjithashtu, evidentohet se shtetasi Franc Gergely (Çopja), urdhëron shtetasin Mikael Qosja (Kamami), që shtetasin Talo Çela të mos e përziej më me asgjë (me asnjë punë).
Në vijim të komunikimit ndërmjet tyre, shtetasi Franc Gergely i dërgon shtetasit Mikael Qosja (Kamami) mesazhet më këtë përmbajtje: se jemi t kompletun tani dhe u futem prap linje; të heqim kto që jan per tu heq; se tana jeta ikin man; nuk na prishin pune kto zgjebsat; po heqim dhe nja 2 tjerë tani që janë domosdoshem Elbasan ta shfrytzojm tani per B.. dhe xhuxhin.
Referuar mesazheve të sipërcituara, evidentohet se shtetasi Franc Gergely (Çopja), në kohën e kryerjes së bisedës ka patur në plan që në vijim të ekzekutojë (vrasë) shtetasin Arben Spahiu (kunatin e Erion Alibe)), si dhe shtetasin Everest Çaka, të cilit i referohet me pseudonimin “xhuxhi”.