
Ditën e sotme në Apelin e Gjykatës së Posaçme do të mbahet seanca për ankimin e masës së sigurisë arrest me burg nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Ai do të paraqitet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm në orën 10:00 ku gjyqtari Engert Pëllumbi do të shqyrtojë ankimin e tij. Në të njëjtën seancë, do të paraqiten për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Kush është Engert Pëllumbi që çoi pas hekurave ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin.
Gjyqtari i Apelit të Vlorës e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011. Fillimisht ai u emërua në Gjykatën e Fierit më pas nga vitit 2017 deri në Nëntorin 2020-ës, Pëllumbi ushtroi rolin e Këshilltarit Ligjor në Gjykatën e Lartë.
Pas kësaj periudhe ai u emërua në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku vazhdon që ta ushtrojë ende detyrën. Gjyqtari Engert Pëllumbi u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në Tetor të 2021 dhe e kaloi me sukses. Pëllumbi rezultoi i pastër në të treja kriteret e rivlerësimit. Në bazë të hetimit administrativ nuk u konstatuan asnjë shkelje.
KPK votoi unanimisht pro konfirmimit të tij në detyrë. Engert Pëllumbi është anatemuar për herë të parë publikisht në vitin 2011, kur ai gjobiti për shpifje nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felajn për shpifje.
Engert Pëllumbi do të mbahet mend gjatë, si gjyqtari që dërgoi në qeli funksionin e parë të lartë shtetëror. Egert Pëllumbi njihet dhe për përkthimin e librit “Giovanni Falcone, një hero i vetmuar” mbi gjyqtarin, i cili dha jetën për drejtësinë, duke luftuar mafian./korrieri