
Në zgjedhjet e 11 majit do të jenë tre koalicione që do të garojnë me një listë të unifikuar, pasi dorëzuan kërkesën në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sali Berisha ka shfrytëzuar edhe orët e fundit të afatit për të zyrtarizuar koalicionin me partitë e tjera opozitare. Në dokumentin e dërguar në KQZ, kryedemokrati ka firmosur me disa nga aleatët e tradicional të Partisë Demokratike. Kështu Partia e Lirisë e Ilir Metës, Partia Agrare e Agron Dukës, Partia Republikane e Fatmir Mediut, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU i Shpëtim Idrizit dhe 21 parti të tjera të vogla do të garojnë në listën e PD.
Siç edhe dihej, partitë kryesore opozitare kanë pasur si kusht për Berishën disa vende në listën e sigurt për të firmosur me PD. Kështu, PL do të ketë 4 kandidatë në listën e mbyllur, Ilir Meta dhe Tedi Blushi në Tiranë, Edmond Haxhinasto në Elbasan dhe Erisa Xhixho në Fier. Nga një vend në listen e mbyllur kanë marrë partitë e tjera, Mediu në Tiranë, Duka me kandidatin e tij në Durrës, Dule në Vlorë dhe Idrizi në Tiranë.
Ndryshe nga zgjedhjet e 2021, Berisha do të garojë me më pak aleatë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo pasi pjesë e listës nuk është LZHK e Dashamir Shehit, por edhe një pjesë të demokratëve që u larguan pas përçarjes së PD.
Partia “Djathtas 1912” e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe një pjesë e demokratëve të larguar nga PD do të garojnë në një koalicion me Lëvizja për Zhvillim Kombëtar të Shehit. Në dokumentin e dorëzuar në KQZ, koalicioni është emërtuar “Djathtas për Zhvillim”, duke shkrirë dy siglat e partive në fjalë për zgjedhjet e ardhshme. Ky koalicion do përbëhet nga këto dy parti dhe sigla e përfaqësimit të saj do të jetë “DZH”. Pjesë e këtij koalicioni pritej të ishte edhe grupi i Lulzim Bashës me Koalicionin Euroatlantikë, por që nuk kanë arritur dakordësinë.
Një tjetër koalicion i regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 11 majit është “Nisma Shqipëria Bëhet”, koalicion, i cili u finalizua pak ditë më parë. Ky koalicion përbëhet nga tre forca politike, Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, Partia “Nisma Thurje” dhe Partia “Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptare”. Ky koalicion përbëhet nga tre forca politike, Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, Partia “Nisma Thurje” dhe Partia “Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptare”. /korrieri