
Erion Veliaj duhet të qëndrojë në burg.
Erion Veliaj sipas dosjes së tij ka dërguar mesazhe kërcënuese ndaj agjentëve të BKH-së. Ka shpërndarë favore tek biznesmenët dhe ka marrë nga ata financime, dhurata, pasuri të paluajtshme.
Është një abuzues klasik me pushtetin.
Erion Veliaj duhet të rrijë në burg.
Edhe sepse ka përdorur të gjithë administratën bashkiake për të intimiduar SPAK-un, ka dhënë dritën jeshile ndaj drejtorëve të tij të ngrenë makineri korruptive dhe në këmbim të bëjnë vota për të.
Është përkufizimi i politikanit shkatërrues të demokracisë. Është një ndër arsyet pse politika në Shqipëri është bërë fjalë e pistë.
Erion Veliaj duhet të mbahet brenda.
Çdo gjë tjetër do ishte një hap pas dhe një humbje për popullin shqiptar.
Pushteti i PS-së duhet të kuptojë që mjaft ju ka rënë më qafë shqiptarëve.
As presioni politik, as antimitingjet, as sharjet mediatike, as ndërsimi i militantëve nuk mund dhe nuk duhet ta lirojnë një politikan të korruptuar nga burgu.
Përndryshe, brezi i ardhshëm do jetë prapë një brez i humbur dhe Shqipëria do humbasë një tjetër tren historik.
Erion Veliaj duhet të ndëshkohet.
Për atë që është dhe për atë që dështoi të ishte.
Erion Veliaj ishte një politikan i ri, me formim perëndimor, i sponsorizuar fuqishëm nga shoqëria civile.
Në vend që të mishëronte ato ide apo ideale liberale që e sollën në pushtet, ai zgjodhi të bëhej njësoj si të vjetrit. Veçse me rroba më të shtrenjta.
Një boshllëk ideor i paketuar dhe i marketuar shumë mirë.
Më shumë se kaq, ai vrau shpresën tek ndryshimi.
Aq sa çdo i ri që i futet politikës duhet të matet me kutin e hipokrizisë së tij: hajt me se dhe ky mund të jetë si Erion Veliaj!
Modeli Erion Veliaj duhet të marrë fund.
/ Marrë nga faqja Lolita