SPAK ka shtuar intensitetin në hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë pezull fatin e tij penal dhe politik. Në kuadër të këtyre hetimeve, hetuesit e BKH-së kanë ndërmarrë një tjetër aksion kontrolli në ambiente që lidhen me familjarët e Veliajt, pas miratimit të një vendimi nga Gjykata e Posaçme.
Sipas dokumenteve të siguruara, më 14 janar, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj urdhëroi kontrollin e apartamentit nr. 11/4 në Sky Tower, që besohet se përdoret nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut. Ky apartament ndodhet një kat mbi qendrën “Harabel”, e cila zotërohet gjithashtu nga Xoxa. Nga kontrolli i kryer, hetuesit sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike, që do të shqyrtohen dhe deshifrohen në vijim. Ende nuk janë bërë publike detaje mbi mënyrën se si hetuesit kanë zbuluar dhe besuar se apartamenti në fjalë përdorej nga bashkëshortja e Veliajt.
Ndërkohë vëllai i tij Arbër Veliaj nuk ndodhet në Shqipëri. Prej vitesh ai shkatërroi tregun e reklamave duke financuar vetëm mediat pranë krybashkiakut. Kompania One Albania është shembulli tipik se si paratë e reklamave përdoreshin si formë presioni për ata që shkruanin kundër Veliajt, prandaj SPAK duhet ta hetojë One Albania dhe drejtuesit e saj si bashkëpunëtorë në krim.
Veliaj është nën hetim prej më shumë se dhjetë muajsh për akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer më parë kontrolle mbi kompanitë e gruas dhe vëllait të tij, duke sekuestruar gjithashtu celularë dhe pajisje të tjera. Ai, bashkë me Ajola Xoxën dhe persona të tjerë të afërt, ka dhënë dëshmi përpara Prokurorisë së Posaçme.
Veprimet e fundit të BKH-së tregojnë se hetimet po afrohen drejt përfundimit, ndërkohë që publiku pret me interes zhvillimet e mëtejshme. Në fund të këtij procesi do të vendoset jo vetëm për fatin penal të Veliajt, por edhe për të ardhmen e tij politike./korrieri