
Në media po qarkullon këtë të enjte një lajm që pretendon se deputeti Erion Braçe do të largohet nga Qarku i Fierit përpara nisjes së fushatës, për shkak të një përplasje të fortë me strukturat e Partisë Socialiste.
Ky lajm, që fillimisht u publikua nga televizioni i Bashkim Ulajt, u fshi pak pas publikimit, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinën dhe qëllimin e tij. Në vijim, lajmi u riprodhua nga disa media të tjera, duke shtuar spekulimet se Braçe mund të transferohet në njësinë 5 në Tiranë për të forcuar ekipin elektoral të ministres së Bujqësisë, Anila Denaj.
Ndërkohë, burime pranë deputetit sugjerojnë se ai nuk ka dijeni për këtë zhvillim dhe asnjë konfirmim zyrtar nuk është bërë nga ana e tij.
Pyetjet mbi këtë lajm thellohen nga spekulimet se ai mund të jetë sponsorizuar nga figura të reja të përfshira në disa televizione, përfshirë atë të Bashkim Ulajt. Emri i Belinda Ballukut, e përfolur si “kryeredaktorja” e padukshme e këtyre mediave, është lakuar në disa qarqe mediatike. Kjo shton dyshimet për një lojë politike që synon të diskreditojë Braçen ose të përgatisë terrenin për lëvizje strategjike në prag të fushatës elektorale.
Çfarë qëndron pas këtyre manovrave mediatike? A është kjo një përpjekje për të nxitur përçarje brenda Partisë Socialiste apo për të forcuar pozitat e figurave të caktuara? Përgjigjet mbeten ende të paqarta, ndërsa lufta në PS po ha koka dita ditës. /korrieri