Monika Kryemadhi ka shmangur sot para gazetarëve çështjet e rendësishme duke u fokusuar te raporti i saj me Metën, gjë që në thelb shmang vëmendjen nga akuzat e forta të dosjes së SPAK ndaj çiftit Meta-Kryemadhi, të cilat lidhen me përfitimet e paligjshme nga oligarkë si Samir Mane apo aferat me Vodafone Albania me ndërmjetësimin teknik të biznesmenit Marin Gjonaj ose përdorimi si “leckë” i ish-CEOs së Vodafone Dietlof Mare .
Deputetja Monika Kryemadhi tha nga dera e SPAK se nuk ka pasur asnjë komunikim me kreun e PL, Ilir Meta.
E pyetur nga gazetarët, ajo tha se nuk ka pasur një urim për festat e fundvitit mes tyre.
E uruat për vit të ri Metën?
Kryemadhi: S’kam pse të uroj një njeri që nuk ka lidhje me mua.
Të gjithë ata që e iluminojnë zotin Meta me shpifje të tilla të marrin përgjigje në 2025, armiqtë janë ata që kanë folur dhe shpifur.
Do bëj maksimumin që opozita të fitojë, do flas më shumë se sa disa të tjerë që duan të bëhen deputetë, rikthimi i opozitës në pushtet s’ka të bëjë me individë. Është e rëndësishme se të pakapshmit nuk janë gazetarët, por ata që firmosin detin, Gjadrin, Sazanin, këto kullat nga 100 kate, nuk e dimë se paratë e kujt janë.
Kryemadhi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për të zbatuar masën detyrim paraqitje, ndërsa Ilir Meta ndodhet në burg.
DOSJA
Gazeta Korrieri ka publikuar deri më tani detaje nga dosja e SPAK mbi çiftin Meta-Kryemadhi, ku mes të dhënave rezulton edhe një episod ku përfshihet biznesmeni Marin Gjonaj përmes kompanisë Info Telecom.
Personazhi kyç në këtë rast është Adrian Shatku, i cili lidh Kryemadhin, Metën, Marin Gjonajn dhe Vodafone Albania në shërbim të kompanisë UNIFI Holdings. Në fakt, siç mëson Korrieri, Shatku shërben si përfaqësues i interesave të Metës dhe Kryemadhit në UNIFI Holdings, ku duket se kemi një marrëdhënie pronarë-vartës.
Rezulton se kompania Info Telecom, e drejtuar nga Marin Gjonaj dhe Anisa Skëndaj, është vënë në shërbim të Metës dhe Kryemadhit duke mundësuar lidhjen teknike të pajisjeve të UNIFI me Vodafone, duke përfituar përqindje fitimi nga ky raport.
Sipas burimeve të gazetës Korrieri, Marin Gjonajështë marrë në pyetje nga agjentët e BKH-së në lidhje me marrëdhëniet e tij me Adrian Shatkun, duke hedhur fajin mbi bashkëadministratoren e kompanisë Info Telecom, Anisa Skëndaj, vajza e biznesmenit të njohur Marsel Skëndo.
Gjonaj ka deklaruar se marrëdhëniet me kompanitë vendase i menaxhonte Anisa Skëndaj, duke shmangur përgjegjësinë nga vetja dhe duke theksuar se ajo ishte përgjegjëse për kontratat dhe financat.
Ndërkohë, në komunikimet e zbardhura nga SPAK, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Adrian Shatku diskutojnë pikërisht për Marin Gjonajn dhe rolin që kishte kompania Info Telecom në lidhjen teknike të UNIFI me Vodafone për tranzitimin ndërkombëtar të thirrjeve.
UNIFI u fut në tregun e tranzitimit të thirrjeve të Vodafone, ndërkohë që më herët ishin aktivë Theodhori Çami dhe Marin Gjonaj.
Çami luajti rolin e sekserit mes drejtuesve të Vodafone, ndërsa Gjonaj atë të sekserit teknik, duke mundësuar lidhjen e pajisjeve, çka u mundësoi Adrian Shatkut, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës të përfitonin qindra mijëra euro në muaj, duke shfrytëzuar influencën e tyre.
Çfarë është dhe si funksionon tranzitimi i thirrjeve ndërkombëtare?
Interkonjeksioni është lidhja e dy rrjeteve telefonike, fikse ose celulare, në mënyrë që thirrjet të kalojnë nga një rrjet te tjetri, për shembull, lidh rrjetin e Vodafone Mbretëria e Bashkuar me rrjetin e Vodafone Shqipëri. Këto dy rrjete, duke qenë se nuk kanë lidhje direkte, duhet të kontraktojnë një palë ndërmjetëse, e quajtur operator tranzitues, që të marrë thirrjet nga një rrjet dhe t’i transmetojë te rrjeti tjetër.
Vodafone Shqipëri faturon kompaninë tranzituese për minutat që ka sjellë në rrjetin e saj, ndërsa operatori tranzitues faturon kompaninë telefonike nga ku gjenerohet thirrja për minutat që ka dërguar te Vodafone Albania, por me një çmim më të lartë sesa ai që i faturon Vodafone Shqipëri.
Pra, operatori tranzitues duhet të ketë marrëveshje tranzitimi me dy kompani njëkohësisht.
Marin Gjonaj, një biznesmen kontravers, është i njohur për Policinë e Shtetit, pasi dy vite më parë u shpall në kërkim për ndërtimin e paligjshëm të një ferme të Bitcoinit në Durrës. /Korrieri
Vilë nga Samir Mane dhe thasë me para nga Vodafonë përmes Marin Gjonaj dhe Adrian Shatku, Monika Kryemadhi njofton vendimin ekstrem pas sekuestrimit të vilave