Pas më shumë se 3 vitesh nga vrasja e 21-vjeçares Sonila Cani në Torino të Italisë, autoritetet italiane kanë zhvillime të reja në lidhje me këtë dosje.
Hetimi i udhëhequr nga prokurorja Valentina Sellaroli ka nxjerrë në dritë një grup shqiptar të përfshirë në rrjetin e prostitucionit.
Dyshimet e ngritura që prej fillimit se Sonila ishte shtyrë drejt vetëvrasjes dhe jo ta ndërmerrte këtë akt pa asnjë shkak, tashmë janë sqaruar.
“La Stampa” ka mësuar përmes burimeve se prokurorja e çështjes ka dalë në konkluzion se konteksti në të cilën ndodhi ngjarja tashmë është i qartë. Sonila ishte shtyrë të kryente vetëvrasje. Këtë e ka konfirmuar edhe gjyqtarja e dosjes, Francesca Pani, që ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurores.
Kështu, në kuadër të grupit shqiptar të përfshirë në prostitucion të zbuluar nga hetimet së fundmi, gjykata caktoi 5 masa sigurimi, nga 16 persona të dyshuar që po hetohen për shfrytëzim prostitucioni dhe krime të tjera si grabitje, emigracion i paligjshëm etj.
Mes personave të dyshuar është edhe vetë bashkëshorti i Sonila Canit, Kreshnik Cani, me të cilin ka një djalë. Kreshnik Cani po hetohet nga Prokuroria e Torinos për nxitje drejt vetëvrasjes dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Kreshnik Cani u hetua edhe nga Prokuroria e Beratit pas një kallëzimi që bënë prindërit e Sonilës për shfrytëzimin e vajzës së tyre.
Zbulimi i grupit kriminal shqiptar, citon La Stampa, u ndihmua edhe me hetimet për vdekjen e Sonilës, ku u analizuan fakte, rrethana dhe dëshmi. Bëhet fjalë për shfrytëzimin për prostitucion të vajzave shqiptare në Torino të Italisë.