Pas atentatit mafioz me snajper ndaj Ardian Capjas, nga Kodra e Krastës, anëtarët e grupit kriminal Capjas filluan të ndërtonin alibitë e tyre, në rast se shoqëroheshin nga policia. Mario Cela, vëllai i Suel Celës që konsiderohet si kreu i grupit, pas atentatit teksa komunikon me Klaus Matishin i komunikon se pas Capjas do të merren me lidhjet shoqërore të Capjas, të cilët i cilëson si “cerrat”. “Tani fillon dhuna”, i shkruan Mario-Matishit në Sky ECC. Ndërsa në vazhdim të bisedës shprehet se nëse policia do të shkojë për ti shoqëruar Sueli do të largohej, ndërsa ai vetë do të shkojë sepse 15 minuta para ngjarjes, ai ka dalë të kamerat e vëzhgimit. Dhe pikërisht pamjet do ti përdorte si alibi, nëse do të ktheheshin dyshimet tek ai dhe vëllai Suel Cela. “15 minuta para ngjarjes, poshtë shtëpisë dolëm te kamera…do filloj kërbaci tashti…kto cerrat që kanë rrugëve tja palosim”, shkruan Mario Cela anëtarit tjetër të grupit kriminal. Sic rezulton edhe në këtë rast, shpesh krerët e grupeve kur urdhërojnë vrasje apo atentate, qëndrojnë në syrin e kamerave të sigurisë, me qëllim që t’I përdorin me vonë si alibi.
SPAK goditi pak ditë më parë, grupin e Suel Celës, ku mes të dyshuarve janë dhe njerëz të drejtësisë, si ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dhe zyrtari I policisë Dedan Gjoni. Grupi kriminal merrej me trafik droge dhe urdhëronte vrasje të kundërshtarëve të tyre, të klanit Capja.
Suel Cela është në kërkim, ndërsa vëllai i tij është arrestuar në Belgjikë. Në Milano u arrestua truri financiar i organizatës, Bujar Shega./gazetajone