
Ndeshja Çeki-Shqipëri përfundoi me tensione. Tifozët e Çekisë shpalosën flamurin e Serbisë mbi atë të Kosovës dhe kthyen përmbys flamurin e Shqipërisë, po ashtu i kishin mbuluar ato me shenjën “X”.
Pas këtij akti të turpshëm, reagoi edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila i dënoi me forcë veprimet e tifozëve. Në deklaratë, FSHF thotë se do të dërgojë një notë proteste në UEFA dhe kërkon masa të menjëhershme disiplinore.
“Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar janë të patolerueshme dhe nuk i takojnë fushës së futbollit. Ky akt i rëndë përbën një sulm të hapur ndaj vlerave të futbollit dhe respektit midis kombeve, thuhet në reagim.
Federata Shqiptare e Futbollit dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore.
FSHF reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës.
Futbolli është një lojë që bashkon dhe unifikon gjithë popujt duke promovuar barazinë dhe respektin për të gjithë, pavarësisht kombësisë apo përkatësisë etnike. Shqiptarët, si pjesë e familjes së madhe futbollistike, do të qëndrojnë gjithmonë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë racizmi apo urrejtjeje duke dënuar me forcë çdokënd që tenton të përdhosë bukurinë e këtij sporti”,thuhet në deklaratë.

Po ashtu FSHF ka komentuar ndeshjen që u realizua mbrëmjen e kaluar, duke thënë se Kombëtarja po përgatitet për të marrë një rezultat pozitiv në Gjeorgji.
“Kombëtarja ka treguar gjithmonë forcë dhe guxim për të përballuar çdo vështirësi duke u ngritur pikërisht atëherë kur lind nevoja. Bashkë me tifozët do të lëmë pas këtë ndeshje dhe bëhemi gati për të shkuar në Gjeorgji për një rezultat pozitiv”, tha FSHF.
Takimi u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të Çekisë, një rezultat që e vendos Shqipërinë në një pozitë të vështirë për vazhdimësinë e saj në Ligën e Kombeve. Pas kësaj humbjeje, kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grupin B1, me 3 pikë, të njëjtën sasi pikësh si Ukraina, e cila është në vendin e katërt. Grupi kryesohet nga Gjeorgjia dhe Çekia, të dyja me nga 6 pikë secila.