
Evazion, tatimet kapin 585 000 euro të padeklaruara te Folium Tirana e vëllezërve Enea dhe Eraldo Selmani pas sinjalizimit nga një “spiun”
Një hetim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka zbuluar një skemë të sofistikuar evazioni fiskal në një prej bizneseve më të njohura të jetës së natës në Tiranë.
Subjekti në fjalë që operon në zonën elitare të Rrugës së Elbasanit, rezulton të ketë fshehur plot 585,000 euro të ardhura të padeklaruara, gjatë një periudhe prej më shumë se një viti.
Sipas tatimeve, hetimi nisi pas një denoncimi qytetar, i cili hodhi dritë mbi një zinxhir shkeljesh që përfshinte moslëshimin e faturave tatimore dhe punësimin e personave të pasiguruar.
Sipas burimeve të Gazetës Korrieri, bëhet fjalë për “Folium Lounge”, në pronësi të vëllezërve Enea dhe Eraldo Selmani.
Biznesi është pozicionuar në një nga zonat më luksoze të Tiranës, një lagje që njihet për banorët e saj VIP dhe për qarkullimin e lartë të parasë. “Folium” ka nisur aktivitetin gjatë vitit 2023 dhe fillimisht kishte disa pika në kryeqytet, por aktualisht është përqendruar vetëm në lokalin e madh në Rrugën e Elbasanit.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kompania u krijua nga një partneritet mes njërit prej vëllezërve dhe biznesmenit Niko Palla, por ky i fundit më pas ia ka shitur aksionet Enea Selmanit, duke e kthyer kompaninë në pronë të përbashkët të dy vëllezërve.

Në njoftimin zyrtar, Administrata Tatimore thekson se “kontrolli është realizuar nga strukturat e Hetimit Tatimor dhe ka çuar në evidentimin e të ardhurave të padeklaruara, në kundërshtim me legjislacionin fiskal në fuqi. Falënderojmë qytetarët që i janë bashkuar përpjekjes sonë për vendosjen e ligjshmërisë në ekonomi.”
Ky rast hedh dritë mbi sfidën e evazionit në sektorin e shërbimeve dhe veçanërisht në segmentin e luksit dhe argëtimit, ku kontrolli tatimor shpesh has në mungesë transparence dhe deklarimi.
Rasti është një tjetër sinjal alarmi për mënyrën se si funksionojnë disa nga bizneset më luksoze në Tiranë, me një fasadë prestigjioze, por me një skemë të thellë shmangieje fiskale në prapaskenë. /korrieri