
Një tjetër person është bërë ‘pentito’ në dosjen hetimore të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. CNA shkruan se përveç dy personave që janë raportuar deri më tani si njerëz të cilët kanë ndryshuar dëshminë dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë, ka dhe një të tretë.
E para është Adela Kondakçiu, ish-financiere dhe një nga njerëzit më të afërt të Ajola Xoxës dhe e para grua që bëhet e penduar e SPAK.
I dyti është Gentian Sula i NOA-s, i cili në fakt, fillimisht u raportua se ishte njeriu që kishte dalë garant për 115 mijë eurot, por siç u raportua sot nga mediat, edhe nga CNA, ai më pas ka ndryshuar dëshminë e tij dhe ka deklaruar se gjithçka e ka përgatitur Ajola Xoxa.
Personi i tretë në akte, që ka dhënë dëshmi kundër Ajola Xoxës dhe ka ndihmuar SPAK-un në gjetjen e provave. Sipas CNA, mjafton të lexohen aktet dhe lehtësisht shihet se Marisa Nito (Abule), gruaja e të shumëpërfolurit Elman Abule, miku i Erion Veliajt që ka udhëtuar larg me të, deri në Japoni, ka dhënë detaje jo të parëndësishme për SPAK-un.
Elman Abule është një personazh jo pak i njohur për drejtësinë. Elman Abule është biznesmeni me shtetësi belge, të cilit iu sekuestruan 50 milionë euro.
Marisa Nito (Abule) ka theksuar se Ajola i ka treguar që ishte hapësirë e ngushtë në shtëpi dhe kërkonte katin e tretë, pikërisht tek apartamenti që ka sekuestruar SPAK-u, ku pretendohej se dy katet ishin thjesht e vetëm të Erion Veliajt, kurse kati i tretë më parë ishte përdorur nga aktori Gaz Paja, më pas nga persona të tjerë dhe nuk ishte mbajtur nga Erion Veliaj.
Në fakt, SPAK ka gjetur mobilje gjatë kontrolleve, të porositura nga Ajola Xoxa në katin e tretë dhe gjithashtu tashmë është edhe dëshmia e Marisa Abules, e cila thekson në SPAK se ka qenë vetë Ajola që i ka thënë se hapësiara ka qenë e ngushtë dhe ka kërkuar më shumë zgjerim, pikërishte tek i njëjti objekt i sekuestruar nga SPAK.
Tashmë, nuk kemi më dy, por tre persona.
Sipas akteve duket se mund të ketë edhe persona të tjerë, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe kanë rënduar edhe situatën penale të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës. Megjithëse, në fakt, e gjithë kjo histori duket të jetë një hetim i shpejtë, i drejtpërdrejtë i SPAK, me dhjetëra e mijëra faqe provash, faktesh e dokumentesh të pakontestueshme, të cilat tregojnë veprat penale të Erion Veliajt, më e rënda prej së cilave është pastrimi i produkteve të veprës penale.
Por, po të lexohet vendimi i gjykatësit të Apelit, Engert Pëllumbi, diku shihet se SPAK duhet ta hetonte Erion Veliajn edhe si grup të strukturuar kriminal.