
U arrestua nga SPAK , kush është Ermir Cinco Ndreaj , bizneset e luksit dhe lidhja me Eldi Dizdari
Ermir Ndreaj është një nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i nisur një natë më parë në disa qytete të vendit. Së bashku me Ndreajn, në pranga kanë rënë edhe dy vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani, si dhe një tjetër person në Elbasan, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik.
Ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, emri i Ermir Ndreajt nuk është i panjohur për autoritetet ndërkombëtare dhe mediat. Vetëm pak muaj më parë, një gazetë belge e rendiste Ndreajn si bashkëpunëtor të Eldi Dizdarit (alias Denis Matoshi), një figurë kyçe në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Europë dhe i lidhur me kartelin famëkeq “Bello”.

Ndreaj, i njohur me nofkën “Cinco”, jeton në Tiranë dhe për një kohë të gjatë ka operuar si një biznesmen i suksesshëm, duke ngritur një sërë aktivitetesh luksoze si disko “Cinco Cavalli” në Durrës, restoranti “Savoy Garden” në kompleksin Delijorgji, si dhe klinika estetike “Clinique Cinq”, të cilat administrohen së bashku me partneren e tij Elira, një avokate e njohur në kryeqytet.

Sipas një artikulli të publikuar në gazetën belge më 28 janar 2025, Ndreaj rezulton i përfshirë në disa hetime të mëdha për kontrabandën e kokainës në Antverp dhe pastrimin e parave, ku emri i tij shfaqet përkrah të akuzuarve të tjerë si boshnjaku Sani Al Murdaa dhe biznesmeni Yasin M. alias “Teentje”.

Ndryshe nga Dizdari që fshihej në Dubai, Ndreaj ka jetuar i lirë në Tiranë, duke shfaqur hapur stilin e jetës luksoze. Në kushtet kur Shqipëria nuk ekstradon shtetasit e saj, autoritetet belge kanë pasur të pamundur kërkesën për ekstradimin e tij, por me ndalimin nga SPAK, Ndreaj pritet të përballet me një hetim të thelluar edhe në Shqipëri. Ai akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash./korrieri