
Punonjësja e UKT akuzon drejtorin Skerdi Drenova dhe “bosen” Joana Nano për abuzim me fondet publike dhe pasuri të pajustifikuar
Një punonjëse e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT) i është drejtuar me një letër publike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të ndalur atë që e quan “abuzim flagrant me fondet publike dhe pasurim të paligjshëm” nga drejtori i përgjithshëm i UKT-së, Skerdi Drenova, në bashkëpunim me koordinatoren pranë tij, Joana Nano.

Në letrën e saj, e cila paralajmërohet se do t’u dërgohet edhe organeve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, punonjësja denoncon se Drenova dhe Nano kanë krijuar një “sistem të mirëorganizuar korrupsioni” përmes tenderave dhe vendimeve të brendshme, duke përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash, pasuri të paluajtshme dhe favore personale.
Ajo thekson se Joana Nano, e cila mbulon rolin e koordinatores pranë drejtorit, por de facto vepron si “drejtoreshë e përgjithshme”, zotëron pasuri që nuk justifikohen me pagën e saj mujore prej rreth 700 eurosh. Sipas denoncimit, Nano ka në përdorim një makinë të shtrenjtë Benz GLA, ka organizuar një festë luksoze ditëlindjeje në Dhërmi me kosto që thuhet se ka shkuar deri në 70 mijë euro, dhe bashkëjeton me drejtorin Drenova në një apartament në zonën e Komunës së Parisit.
Në vijim, ajo përmend edhe pronat që pretendohet se çifti ka në Dhërmi, Qerret dhe në kompleksin luksoz Rolling Hills, përfshirë një vilë në emër të motrës së Joana Nanos, të cilën ajo ka dashur ta emërtojë “OSTe”, duke lënë të kuptohet një lidhje të drejtpërdrejtë me funksionet e mëparshme të Drenovës në sistemin energjetik.
Punonjësja shprehet se e gjithë struktura e UKT-së është vendosur në funksion të Joana Nanos, e cila jo vetëm merr vendime për stafin dhe takon operatorët ekonomikë, por edhe ndikon në emërime e shkarkime. Sipas saj, drejtori Drenova ka propozuar krijimin e një strukture të re për të emëruar Nano si drejtoreshë kabineti, duke planifikuar shkurtimin e 220 punonjësve aktualë.
Letra mbyllet me thirrjen drejtuar kryeministrit që të mos e lejojë “kapjen e UKT-së” nga ky çift dhe që institucionet e drejtësisë të hetojnë burimin e pasurive të tyre dhe funksionimin e brendshëm të ndërmarrjes publike.