
Raiffeisen Bank pjesë e skandalit Bankers Petroleum, kreu veprime bankare kundër vendimit të gjykatës, pse dosja duhet të merret nga SPAK
Skandali i kompanisë Bankers Petroleum, e cila ka eksportuar naftë bruto me vlera miliarda euro dhe nuk ka paguar detyrimet në shtet, është kthyer në qendrën e vëmendjes në vendin tonë.
Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se pjesë e aferës dhe evazionit fiskal me pasoja të rënda që Bankers i ka shkaktuar shtetit rezulton edhe banka Raiffesen Bank.
Weblajm.com ka publikuar një pjesë e hetimeve që po kryen prokuroria e Fierit për skandalin Bankers, është edhe një banka e nivelit të dytë pasi ka shkelur një urdhër sekuestro.
Nga hetimet ka rezultuar se tatimet kishin bllokuar llogaritë e Bankers për të vjelur detyrimin tatimor. Por Raiffeisen Bank vazhdonte të kryente transaksione dhe lëvizje në llogaritë e Bankers, duke shkelur ligjin.
Si pjesë e hetimeve është edhe një zyrë këmbimi valutor, ku kryheshin këmbime valutash të Bankers në lekë ose anasjelltas.
Lëvizjet e parave në Raiffeisen Bank, e cila nuk duhej t’i prekë ato fonde, drejtoheshin nga menaxheri financiar i Bankers Petroleum, shtetasi Ardit Ferko, sipas weblajm.

Gjatë javëve të fundit, Prokuroria e Fierit ka nisur një hetim të thelluar ndaj kompanisë Bankers Petroleum Albania, e cila është vënë nën akuzë për evazion fiskal në përmasa shumë të mëdha, mashtrim dhe pastrim parash. Hetimet zbuluan se kompania ka eksportuar dhe shitur naftë në vlera që kapin mbi 5.3 miliardë euro që nga viti 2004, ndërsa çdo vit ka deklaruar humbje, duke shmangur detyrimet tatimore. Vetëm për vitin e kaluar, shteti shqiptar i ka rimbursuar kompanisë rreth 40 milionë euro nga TVSH-ja, ndërkohë që kompania ka kërkuar edhe 30 milionë euro të tjera në rimbursime, pavarësisht volumit të lartë të të ardhurave. Deri më tani janë marrë 14 masa sigurie, janë arrestuar 9 persona, përfshirë drejtues të lartë, dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur publikisht se Bankers i detyrohet shtetit shqiptar një shumë prej 240 milionë eurosh, si rrjedhojë e një vendimi arbitrazhi të fituar nga Shqipëria. Hetimet janë përshëndetur si një hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies financiare dhe zbulimit të mekanizmave që kanë lejuar një kompani të përfitojë qindra milionë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa vazhdonte të operonte pa paguar tatimin mbi fitimin. Skandali ka rihapur debatet mbi mënyrën se si kompanitë e mëdha të sektorit të naftës operojnë në Shqipëri dhe rolin e autoriteteve mbikëqyrëse në këtë proces.