
DOSJA META në SPAK / Një rrjet korrupsioni, pastrimi parash dhe lidhjesh okulte mes biznesit, politikës dhe Vodafone Albania, Samir Mane dhe Adrian Shatku
Shtatë muaj pas arrestimit të bujshëm, ish-Presidenti Ilir Meta është zyrtarisht në bankën e të pandehurve. SPAK ka finalizuar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen ku Meta përballen me akuza të rënda: korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Krahas Kastriot Ismailajt i çështjes CEZ-DIA, në dosje gjenden shumë emra të tjerë që zbardhin rrjetin e korrupsionit, ligjeve klienteliste si edhe veprimeve korruptive në shërbim të çiftit Meta-Kryemadhi. Në dosjen e publikuar më herët në media, pjesë e aferave që kanë ndihmuar Metën dhe Kryemadhin të bëjnë para ose i kanë ofruar atyyre pasuri në këmbim të ligjeve të favorshme për bizneset e tyre janë Samir Mane, Armando Duka , Adrian Shatku si edhe kompania Vodafone Albania.
Të katër këta persona rezultojnë të lidhur në skema të ndërlikuara korrupsioni që përshkojnë institucionet publike, kompanitë e ndërtimit dhe sektorin e telekomunikacionit. Megjithatë, Samir Mane nuk u hetua pasi SPAK vlerësoi se vepra penale e korrupsionit aktiv ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror ishte shuar.
Samir Mane i dha çiftit Meta-Kryemadhi vilë 800 mijë euro për ligjin e minierave
Sipas hetimeve të SPAK, Samir Mane i ka dhënë një vilë luksoze me vlerë tregu 800 mijë euro çiftit Meta-Kryemadhi në Rolling Hills si shpërblim për shërbesat korruptive që ata i bënë biznesmenit, duke ndikuar përmes institucioneve publike si AKEP apo në Parlament. Mesazhet e sekuestruara nga telefoni i Monika Kryemadhit, të dërguara gjatë viteve 2013-2014, ekspozojnë komunikime të qarta mbi planifikimin e kësaj “dhurate” dhe opsionet e tjera si apartamentet tek pallati “Ambasador”.
Mane e mohoi gjithçka para prokurorëve, por provat teknike tregojnë të kundërten. Mesazhet ku ai i shkruan Kryemadhit “ku ta duash dhe si ta duash” janë përshkruar nga hetuesit si shprehje e qartë e një premtimi korruptiv. Vila është transferuar më pas te Shefqet Kastrati, pasi Meta nuk e pranoi sepse kuptoi se aferën mes tij dhe Samir Manes e kishte mësuar dhe ish-ambasadori grek Optapodas.
Skema e UNIFI me milionat nga Vodarone Albania dhe roli i Adrian Shatkut
Një linjë e dytë hetimi zbardh se si kompania UNIFI Holdings është përdorur si mjet për përfitime të paligjshme nga Meta dhe Kryemadhi. Adriani Shatku, sipas SPAK, është përfaqësues i drejtpërdrejtë i interesave të çiftit dhe personi që lidh UNIFI me Vodafone Albania. Kompania UNIFI u fut në tregun e tranzitimit të thirrjeve nëpër Vodafone duke shfrytëzuar lidhjet politike, që sipas akuzës, i mundësuar qindra mijëra euro në muaj të ardhura.
Skema funksionon përmes kontratave legale të tranzitimit, ku kompania UNIFI bëntë tranzitimin e thirrjeve telefonike nga dhe drejt Vodafone Albania me ndihmën teknike të kompanisë Info Telecom. Çifti Meta-Kryemadhi futën në duar këtë biznese ku dyshohet se xhiruan përmes UNIFI 8 miliard lekë.
Vodafone Albania pagoi miliarda te çifti Meta-Kryemadhi
Pjesë kyçe e skemës që ndihmoi përfitimin financiar është edhe Vodafone Albania, kompani që sipas SPAK ka lidhur kontrata me UNIFI për kalimin e thirrjeve në rrjetin e saj. Ndonëse nuk rezulton me akuza direkte, Vodafone del si hallkë qendrore që u përdor në skemën e bërjes së parave.

Hetimi i SPAK evidenton gjithashtu ndikimin e paligjshëm të Metës dhe Kryemadhit në institucione si Parlamenti, AKEP dhe zyra të permbarimit. Një shembull konkret është miratimi i ligjit 134/2014, që ndryshoi rregullat në sektorin minerar në favor të interesave të Manes.
Dosja Meta nuk është vetëm një rast korruptiv, por ilustrimi më i qartë i një modeli të bashkëpunimit të errët mes politikës dhe biznesit në Shqipërinë e tranzicionit. Përmes favoreve politike, ndikimeve mbi institucionet publike dhe mekanizmave financiarë kompleksë, akuzat e SPAK shkojnë përtej një çështjeje të izoluar penale: ato pasqyrojnë një kulturë të tërë korrupsioni në nivele të larta. /korrieri