
Gazetari Artan Hoxha e ka cilësuar vendimin e Apelit të GJKKO-së për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si një vendim ekzemplar. Sipas tij, në një situatë normale, Veliaj mund të ishte hetuar edhe në arrest shtëpie, por provat e reja kanë bërë që prokurorët të këmbëngulin për mbajtjen e tij në burg.
Duke iu referuar burimeve të tij, Hoxha deklaroi se niveli i sigurisë në qelinë ku ndodhet Veliaj është rritur, duke iu kufizuar atij komunikimi me familjarët.
“Rasti i Veliajt është më i rëndësishmi që SPAK ka pasur në duar, sepse ai është zyrtari i parë i këtij niveli që arrestohet në detyrë. Vendimi i Apelit është një precedent i rëndësishëm, pasi masa e sigurisë u mbajt për 72 orë. Në një situatë normale, kryetari i Bashkisë mund të ishte hetuar edhe në arrest shtëpie, por provat e reja kanë bërë që prokurorët të kërkojnë mbajtjen e tij në burg,” u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se autoritetet kanë rritur masat e sigurisë dhe kanë kufizuar komunikimin e Veliajt me jashtë, ndërsa SPAK dyshon se ai mund të ndikojë në provat edhe nga brenda burgut. /korrieri