
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar zyrtarisht për takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite.
SHBA do të heqë menjëherë pauzën për ndarjen e informacioneve të shërbimeve inteligjente dhe do të rifillojë ndihmën e saj të sigurisë për Ukrainën.
Të dy vendet ndërmorën “hapa të rëndësishëm drejt rivendosjes së paqes së qëndrueshme” për Ukrainën gjatë takimit të sotëm, shtoi Departamenti i Shtetit.
Ukraina ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e saj për të pranuar propozimin e SHBA për të miratuar një armëpushim të menjëhershëm, të përkohshëm 30-ditor.
Të dy vendet kanë thënë gjithashtu se kanë rënë dakord të përfundojnë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve minerale të rralla.
Delegacionet kanë rënë gjithashtu dakord të emërojnë ekipet e tyre negociuese dhe të zhvillojnë menjëherë bisedimet drejt një paqeje të qëndrueshme që siguron sigurinë afatgjatë të Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk po merrë pjesë në takimin e së martës. Ukraina përfaqësohet nga shefi i tij i personelit Andriy Yermak, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, ministri i mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandanti Pavlo Palisa.
Para takimit, Presidenti Zelensky shkroi në “X” se Ukraina shpreson për “rezultate praktike”.
Kremlini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të kuptojnë se sa është Kievi i gatshëm për bisedime që do t’i japin fund luftës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, drejtojnë delegacionin e Shteteve të Bashkuara mes përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës që filloi më 2022.
Sekretari Rubio tha të hënën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të gjejnë zgjidhje për të vazhduar ndihmat për Ukrainën.
Ai tha se Uashingtoni ka shkuar në takim me qëllim që të kuptojë se çfarë lëshimesh është e gatshme të bëjë Ukraina.
“Ukrainasit tani po marrin të gjitha informacionet e inteligjencës. Shpresoj të zgjidhim çështjen e ndalimit të përkohshëm të ndihmave. Ajo që do të ndodhë gjatë takimit ka rëndësi kyçe për këtë çështje”, iu tha Sekretari Rubio gazetarëve në bordin e avionit gjatë rrugës për në Xhedah të Arabisë Saudite.
“Gjatë takimit nuk do të diskutojmë çështje madhore, por do të kuptojmë se çfarë lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë ukrainasit”, tha zoti Rubio. Ai shtoi se nuk ka një zgjidhje ushtarake për luftën dhe se Rusia dhe Ukraina duhet të jenë në gjendje “të marrin vendime të vështira”.
Të hënën Princi saudit i Kurorës Mohammed bin Salman u takua me Sekretarin Rubio në qytetin buzë Detit të Kuq, Xhedah ku po mbahet takimi SHBA-Ukrainë.
Princi Salman u takua ndaras edhe me Presidentin Zelensky në Riad para takimit më kryediplomatin amerikan./korrieri