
Zbulohet lidhja Ergys Agasi – Ermal Beqiri , AKSHI , “magjia” pas shifrave të Soft & Solution dhe EA Solution , kush është “bosi” ? (I)
Nga Gazeta Korrieri
Në një ditë të nxehtë Korriku të vitit 2021, z.Ermal Beqiri shkon me duar në xhepa para noteres Majlinda D. në Rrugën “Vaso Pasha” në ish-Bllok dhe 1 milion lekë të reja në bankë për të firmosur blerjen e 100 % të aksioneve të kompanisë “Soft & Solution” prej Arjola Koromanit.

Pak ditë më pas, kapitali i kompanisë rritet prej z.Beqiri nga 1 milion lekë në 60 milion lekë.

Një vit më parë (2020), pra gjatë krizës së pandemisë, kompania “Soft & Solution” kishte realizuar 142 milion lekë fitim para tatimit.
Nuk dihet ende publikisht se përse znj.Koromani e shiti vetëm 1 milion lekë një kompani që pak muaj më parë e mbylli vitin 1.3 milion euro fitim, por siç duket nga dokumenti i mësipërm kompania ka shpërndarë dividentin pikërisht pas ndryshimit të pronësisë nga znj.Koromani te z.Beqiri.

Ishte periudha që socialistët sapo kishin fituar mandatin e tretë dhe Rama doli me vota rekord deputet nga Durrësi, ku edhe “zbuloi” talentin politik dhe jo vetëm, Ergys Agasi.
Me të ardhur në krye të “Soft & Solution” dhe pozicionimit të kompanisë në një godinë dy katëshe të restauruar me shumë shije në adresën “Rruga “Hoxha Tahsim” Pallati 152, Hyrja 1, Kati 2” Ermal Beqiri i futet punës dhe merr gjatë muajve dhe viteve të vazhdim kontrata miliardëshe nga AKSHI duke rezultuar sot si kompania që ka përfituar 80% të tenderëve mbi Teknologjinë e Informacionit.

Vetë z.Beqiri nuk është njohur më parë për ndonjë aftësi të spikatur në lidhje me këtë sektor. Emri i tij qarkulloi publikisht si ekspert i videos Meta-Prifti, por duket se “magjia” ka ndodhur kur erdhi si pronar në letra i “Soft & Solution”, ndërsa ish-pronarja, pra znj.Koromani kaloi Administratore e kompanisë.
Këtu filloi edhe fluturimi i z.Beqiri dhe kompanisë “Soft & Solution”, e cila vetëm një vit më pas, pra 2022, deklaron 489 milion lekë fitim ose gati 9 fish më shumë se sa viti 2021 (51.1 mln lekë fitim). Ngjitja përmes të ardhurave nga tenderët e AKSHI vijon edhe në vitin 2023 duke realizuar një fitim para tatimit prej 574 milion lekë. Bilancet e vitit 2024 nuk janë pasqyruar ende në QKB.

Në lidhje me këtë raport preferencial të kompanisë “Soft & Solution” me tenderët e AKSHI-t është raportuar gjerësisht në media, ndërsa z.Beqiri është portretizuar edhe si “oligarku i teknologjisë së informacionit”, ndoshta pa të drejtë sa i përket emrit të tij, nëse i referohemi të dhënave që ka zbuluar Gazeta Korrieri më poshtë.
Vetë AKSHI nuk ka dhënë asnjëherë shpjegime se përse z.Beqiri me “Soft & Solution” ka qenë i preferuari i tyre për tenderët edhe pas skandalit të sulmit kibernetik që rrëzoi sistemet në vend, përfshi edhe e-Albanian si edhe shërbime të tjera duke vjedhur dhe nxjerrë në publik dhjetëra “tera byte” të dhëna personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Në një intervistë të bujshme disa muaj më parë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj përmendi për herë të parë Ergys Agasin duke e portretizuar si personin që bën koordinimin mes krimit dhe maxhorancës, që pi verë 33 600 euro shishja me kryeministrin në Dhomën e Luleve në Kryeministri dhe…që kontrollon tenderët e AKSHI-t.
Kjo e fundit ishte një akuzë e re për Ergys Agasin, i cili edhe më parë ishte portretizuar ngjashëm edhe nga lideri i opozitës.
Por, ku lidhet Ergys Agasi me sektorin e Teknologjisë së Informacionit?
Siç konstaton Korrieri, Erys Agasi rezulton të jetë futur në këtë treg në mars 2023 duke regjistruar në emrin e tij, kompaninë “EA Solution” me NIPT M31516009A me adresë “Rruga; Ismail Qemali”, pallati Hersi, Kati 2, Hyrja Nr. 6, Tiranë.
Agasi e mban vetëm një vit kompaninë në këtë adresë dhe transferon zyrat pikërisht…në adresën: Rruga “Hoxha Tahsim” Pallati 152, Hyrja 1, Kati 2, Tiranë.
Është pikërisht e njëjta adresë ku edhe ka zyrat z.Beqiri dhe kompania “Soft & Solution”.
Godinë dy katëshe, e restauruar me shije, por që hapësira totale e saj nuk duket të jetë e mjaftueshme për të mbajtur brenda punonjësit e dy kompanive të ndryshme (!) që bëjnë miliona euro punë dhe fitim në një vit.
Megjithëse, siç vëren Korrieri duke analizuar bilancin e “EA Solution”, z.Agasi nuk i duhen zyra të bollshme pasi ai rezulton te ketë një numër tepër të kufizuar punonjësish që mund të mblidhen edhe në një zyrë 3X4 metra katror bashkë me administratoren edhe sikur të shkojnë të gjithë në punë në 7 ditë të javës.
Pikërisht këtu qendron edhe magjia e z.Agasi dhe kompanisë “EA Solution”.
Kompania rezulton se vetëm në 9 muaj jetë, pra nga marsi në dhjetor 2023 ka bërë 2.4 milion euro xhiro, nga të cilat rreth 2.3 milion euro janë fitim para tatimit.
Pra, “EA Solution” ka patur më pak se 100 000 euro shpenzime gjatë 9 muajve duke përfshirë këtu, pagat e punonjësve, qira zyrash, energji elektrike, ujë si edhe shpenzime të tjera.
Por, le të fokusohemi te pagat. Nga bilanci, rezulton se EA solution ka dhënë 82 000 euro paga ndaj punonjësve gjatë 2023 dhe rreth 10 000 euro sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Një pagë këtë sektor fillon nga 1 500 euro në muaj për fillestarët deri në 2 500 euro apo më shumë për ata që janë me më shumë eksperiencë. Duke marrë parasysh që kompania e z.Agasi ka fituar 2.3 milion euro gjatë 2023 presupozohet se ka patur punonjës shumë të aftë që ofrojnë shërbime cilësore dhe sigurisht, të paguhen shumë.
Nga një përllogaritje e përafërt, rezulton se me 92 000 euro shpenzime totale për paga dhe sigurime gjatë 9 muajve nga kompania “EA Solution” të jenë paguar 3-4 punonjës bashkë me administratoren e kompanisë!
Këto janë ushtrime shumë të thjeshta matematikore që sigurisht duan një përgjigje, e cila duket se nis të zbërthehet pikërisht në korrik 2021 kur z.Beqiri blen për 1 milion lekë një kompani qindra milionëshe dhe sidomos në tetor 2024 ku “EA Solution” e z.Agasi shkon dhe “strehohet” pikërisht në zyrat e “Soft & Solution” në adresën: Rruga “Hoxha Tahsim” Pallati 152, Hyrja 1, Kati 2, Tiranë…
Në një mbledhje me prokurorët e SPAK, kreu i këtij institucioni z.Altin Dumani u tha atyre se krahas burimeve të tjera duhet të konsultojnë edhe raportimet mediatike, të cilat mund të shërbejnë si një indicie për nisjen e hetimeve.
Duke mos paragjykuar rezultatin e verifikimit të nevojshëm, ndoshta të dhënat e mësipërme mund të jenë edhe shpjegimi se përse shqiptarët edhe pse kanë harxhuar qindra miliona euro për Teknologjinë e Informacionit përmes AKSHI, sërish vendi gjendet zhveshur përballë hakerave duke sjellë skandale si ai i dy viteve më parë. /korrieri