
Samir Mane , kundër SPAK për të nxjerrë nga burgu Erion Veliajn ? Faqja e njohur bën denoncimin e fortë
Faqja e njohur “Lolita”, e njohur në Facebook si “Lol Albania” për shkak të kufizimeve të këtij emri në rrjetet sociale, ka publikuar dje një denoncim të fortë, sipas të cilit oligarku Samir Mane po lobon intensivisht për lirimin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas “Lol Albania”, Mane ka angazhuar avokatë nga jashtë vendit, madje edhe nga përtej oqeanit, për të siguruar një mbrojtje të fortë ligjore për Veliajn, i cili ndodhet në burg pas arrestimit nga SPAK për akuza të lidhura me korrupsionin.
Stafi i Veliajt njoftoi sot se ka ardhur një avokat nga SHBA-ja për mbrojtjen e Veliajt.
Në një status të publikuar në Facebook, faqja “Lol Albania” shkruan:
🗣 “Nuk e di çfarë halli ka Samir Mane, ndoshta ndonjë punë të lënë përgjysmë me Bashkinë Tiranë… Sepse nuk ka shpjegim tjetër që është impenjuar kaq shumë për lirimin e Erion Veliajt, duke kërkuar avokatë përtej oqeanit dhe duke i paguar për mbrojtjen e tij.”

Ky është një denoncim i fortë nisur edhe nga fakti se Samir Mane rezulton edhe në dosjen 5D sepse ka marrë tendera pikërisht nga drejtorët e famshëm të arrestuar duke qenë në bashkëpunim me kompaninë e tyre. Krahas kësaj, Samir Mane është një ndër përfituesit më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Ndërkohë, Samir Mane përmendet gjerësisht edhe në dosjen hetimore të Ilir Metës, ku ai akuzohet se i ka ofruar ish-presidentit një vilë me vlerë 800 mijë euro. Megjithatë, SPAK nuk ka nisur hetime ndaj tij, pasi vepra penale e korrupsionit aktiv ishte parashkruar në momentin e konstatimit.
Korrieri ka publikuar një seri shkrimesh në lidhje me përfshirjen e Samir Manes në dosjen e Ilir Metës, por ai shpëtoi nga hetimi dhe ndjekja penale sepse vepra penale “korrupsion aktiv” ishte parashkruar kur u konstatua. /korrieri