
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, nuk është parë në Tiranë prej disa javësh, duke ngritur dyshime dhe spekulime mbi arsyet e largimit të tij nga vendi.
Burime të ndryshme raportojnë se Agaçi mund të jetë larguar drejt Italisë nga frika e një arrestimi të mundshëm nga SPAK, ndërsa qeveria pretendon se ai ndodhet jashtë për arsye shëndetësore.
Sipas opozitës, vetë kryeministri Edi Rama i ka sugjeruar Agaçit të largohet për të shmangur arrestimin dhe pasojat e mundshme që do të kishte një dëshmi e tij para drejtësisë. Nga ana tjetër, qeveria mohon çdo insinuatë për një arratisje të mundshme, duke këmbëngulur se Sekretari i Përgjithshëm është larguar për shkak të një problemi shëndetësor.
Emri i Engjëll Agaçit ka qenë shpesh i përfolur si “kutia e zezë” e qeverisë, për shkak të njohurive të tij mbi vendimmarrjet dhe marrëveshjet e rëndësishme të ekzekutivit.
Nëse ai përballet me drejtësinë dhe vendos të bashkëpunojë me hetuesit, kjo mund të sjellë një tërmet politik me pasoja të paparashikueshme për qeverinë.
Ndërkohë, SPAK nuk ka bërë ende asnjë deklaratë zyrtare mbi statusin e Agaçit dhe nëse ndaj tij ka një hetim konkret.
Megjithatë, mungesa e tij e zgjatur dhe heshtja e institucioneve shtetërore vetëm sa e ushqejnë më tej misterin mbi këtë çështje./korrieri