
Sali Berisha ka vijuar me akuzat kundër kryeministrit Edi Rama edhe gjatë seancës së sotme plenare. Sipas Berishës, kryeministri tanimë nuk guxon të shkojë në Kuvend për dy arsye. Ai akuzon sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë Engjëll Agaçi se është arratisur, pasi i kanë marrë laptopin dhe sipas Berishës aty janë vjedhjet më të mëdha, dhe së dyti për shkak të dosjes McGonigal.
Berisha: Po ju vjen fundi nga njeriu i cili nuk guxon të vijë më në parlament.pse nuk vjen ai këtu? Dy arsye madhore janë! Së pari, ku është sekretari juaj i përgjithshëm i kryeministrisë? Ku është Agaçio? Ku e keni? A keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë kur sekretari i përgjithshëm ia mbath dhe i mashtroni, thoni “është në spital”. Kur thashë u arratis, përhapët thashethemin “është në intubim”. Të gjithë këtë rrugë do ndiqni? Arratinë do ndiqni?
E dyta, laptopi i tij është në prokurori, ta dini mirë. Laptopi është në prokurori. Laptopi ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme. Problemi i dytë është dosja McGonigal. Ajo po shpërthen. Damian e di që ke thënë se të ka urdhëruar Edi Rama, por ka një ligj që thotë “urdhra të paligjshëm mos zbato”. Dosja McGonigal! A e kuptoni që keni në krye një njeri i cili korruptoi shefin e kundërinteligjencës së SHBA-së dhe atë që bëri gjahun e shtrigave ndaj Donald Trump. Ajo dosje nuk mbyllet. Damian, shko ku të duash, dëshmitar do thirresh për Edi Ramën. /korrieri