
Kryeministri Edi Rama është shfaqur i tensionuar dhe i nervozuar në daljet e tij publike gjatë javëve të fundit, pas arrestimit të Erion Veliajt. Nervozizmi i tij u reflektua qartë në një video live, ku ai u pa duke përplasur tavolinën me forcë, ndërsa mesazhet e tij kundër SPAK kanë qenë gjithnjë e më të ashpra.
Në një deklaratë të fortë, Rama kërcënoi Prokurorinë e Posaçme, duke lënë të kuptohet se me largimin e mbështetjes amerikane, ai tashmë e ka situatën nën kontroll: “Tani që ikën amerikanët, ju jeni në dorën tonë.”
Më tej, ai u shpreh se, nëse do të kishte dashur të shkrinte SPAK-un, mund të thërriste Sali Berishën dhe të ndryshonin Kushtetutën.
Por një deklaratë tjetër e Ramës, e cila kaloi në heshtje, ka ngjallur dyshime mbi një skenar më të madh.
Kryeministri tha: “Se mos SPAK vjen të kërkojë celularin tim, se nuk ia jap.”
Kjo deklaratë, e bërë në mënyrë të papritur, ka ngritur pikëpyetje nëse edhe vetë Rama është objekt hetimi nga SPAK.
Në këtë kontekst, zhdukja misterioze e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, vetëm sa e shton misterin.
Agaçi, i njohur si “kutia e zezë” e qeverisë, nuk është parë në publik prej javësh, dhe sipas raportimeve, ai mund të jetë larguar drejt Italisë për të shmangur një arrestim të mundshëm, ndërsa qeveria shprehet se ka ikur për shkak të një problemi shëndetësor.
A ka frikë Rama nga një hetim i drejtpërdrejtë ndaj tij? A është ai në dijeni të lëvizjeve të SPAK dhe po përgatitet për një përballje ligjore? Për momentin, gjithçka mbetet në nivel spekulimesh, por nervozizmi i tij i dukshëm, kërcënimet e hapura dhe heshtja rreth zhdukjes së Engjëll Agaçit tregojnë se diçka po ndodh pas skenave të politikës shqiptare./korrieri