
Një ngjarje e rëndë u shmang ditën e djeshme në në repartin e hemodializës në Korçë, ku pacienti Kujtim Mero kërcënoi se do të digjte veten dhe repartin me një bidon benzinë. Por fatmirësisht, 65-vjeçari u ndalua në kohë nga efektivët e Policisë së Shtetit që ndodheshin në spital. Sot për ngjarjen, më shumë detaje ka dhënë mjekja psikiatre Nikolina Bode.
Ajo ka sqaruar për “News24”, se ky pacient ka pasur episode të ndryshme në qendrën e Hemodializës dhe kanë qenë pikërisht mjekët e këtij reparti që e kanë njoftuar për të ndërhyrë në disa raste, por pacienti së bashku me familjarët e tij, e kanë refuzuar shërbimin.
“Kujtim Mero nuk është i kartelizuar në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor, por ne si shërbim jemi njohur më parë më problematikat e tij. Kemi pasur disa njoftime nga qendra e Hemodializës Korçë dhe mjeku që e ndjek. Kemi ndërhyrë disa herë, pro kemi pasur një refuzim nga pacienti për të marrë shërbimin tonë. Për ta konsultuar dhe ai ka refuzuar çdo ndërhyrje tonën, duke keqinterpretuar që nuk jam i sëmurë mendor dhe që nuk kam probleme. Problemi ka marrë përmasa në muajin korrik të 2024, kur ne jemi njoftuar si shërbim nga Qendra e hamodializës “Diavita” dhe Ministria e Shëndetësisë, për ankesat që ka shfaqur kjo qendër për trajtimin e këtij pacienti. Kemi ngritur grupin e punës, ekipi mulitidisiplinar për persona që ne duam të ndërhyjmë, duke e parë si persona në risk dhe kemi kontaktuar me rastin, më një procesverbal në korrik të 2024, ku si shërbim mjekë infermierë dhe punonjës socialë kemi kontaktuar me pacientin, duke njohur problematikën. Pacienti ka qenë përsëri refuzues, kundërshtuar duke keqinterpretuar ndërhyrjen tonë, “kush ju thirri, nuk jam i sëmurë mendor”, duke përfshirë dhe të sëmurët e tjerë, ndërkohë që ai shkaktonte zhurmë, prishje të qetësisë në qendrën e Hemodializës dhe nuk ka pranuar në mënyrë kategorike të intervistohet, të konsultohet dhe të marrë ndihmën tonë si shërbim,”- tha mjekja psikiatre Nikolina Bode. /korrieri