
14-vjeçari Luis Meçe, i cili ngeli i plagosur gjatë sherrit, ku humbi jetën shoku i tij Martin Cani, është rikthyer në ekipin e sportit, pas një kalvari të gjatë problemesh nga spitalet shqiptare deri tek ato në Itali. Pas ekzaminimeve dhe ndihmës së parë të marrë në spitalin e Traumës, Luisi u nis drejt Italisë për një kontroll të dytë sigurues. Po si e gjeti skuadrën dhe shokët e tjerë të ekipit Luisi pas një periudhe të rëndë fizike dhe psikologjike.
Ai shprehet se ndihet i lodhur dhe duhet të kryejë kontrolle shëndetësore sistematike për tre vitet e ardhshme. Për shokun e tij të ndjerë, 14-vjeçari shprehet se i mungon gjithë ekipit, pasi Martin Cani ka qenë humori i skuadrës.
“Me shëndet mirë jam. Ndihem mirë që jam kthyer në stërvitje, kam shumë dëshirë të ingranohem për të gjetur formën që kisha, por ndihem shumë i lodhur, nuk kam oreks, nuk haj dot bukë. Jam shumë i lodhur. Shkuam në Itali për vizita, doktorët më thanë që ishte prekur brinja dhe nuk më lejohet të përplasem, por do të më duhet të shkoj vazhdimisht një herë një muaj, apo një muaj e gjysmë, për tre vite për vizita atje. Çunat janë të mërzitur, sepse nuk kemi një lojtarë, një vëlla tonin, Martinin. Nuk është si më parë, kemi patur shumë harmoni mes nesh, ishim të gëzuar, por tani sikur ka ndryshuar shumë çdo gjë. Ai ka qenë humori i ekipit. Dua shumë që të shkoj në formën time që isha, por nga dëmtimet, plaga, është shumë e vështirë, do të bëj të pamundurën. Tani unë luaj për dy jo vetëm për veten”, tha ai për Top Channel.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t’u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. /korrieri