
Foto Limioni Navy Base Satellite Image Copy right by Google
Biznesmeni Artan Dulaku është paraqitur sëfundmi në Prokurorinë e Posaçme ( SPAK ), i shoqëruar nga një avokat sipas portalit Vna.al .
Dulaku, bashkëpronar me Shefqet Kastratin në kompaninë që ka marrë me koncesion Bazën e Limionit në Sarandë, është përballur me vendime gjyqësore që e kanë bllokuar këtë projekt.
Gjykata e Posaçme vendosi sekuestron në shkurt 2023, vendim që u konfirmua më pas nga Gjykata e Lartë. Çështja u rrëzua dhe nga Gjykata Kushtetuese (LEXO VENDIMIN POSHTË), pas kërkesës për heqjen e masës.
Megjithatë, pavarësisht sekuestros, në portin e Limionit kanë nisur punimet për ndërtimin e një marine turistike. Ish-zv. komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, publikoi prova ku shihen mjete të rënda duke mbushur territorin me inerte.
Ai akuzoi kompaninë koncesionare për shpërfillje të vendimeve gjyqësore, ndërsa çështja është referuar në prokurori për veprime të kundërligjshme për hedhjen e inerteve në det. Deri më tani nuk ka asnjë veprim nga prokuroria për hedhjen e inerteve pa leje në det.
LEXO VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË
Kontrata e koncesionit, e nënshkruar në korrik 2020 mes qeverisë dhe kompanisë “Marina Bay Saranda”, është cilësuar si e parregullt nga hetimet e SPAK, të cilat po shqyrtojnë shpërdorimin e detyrës nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Në qershor 2021, KRRT miratoi lejen e ndërtimit për portin turistik, pavarësisht kundërshtive të Forcës Detare, që e konsideronte zonën strategjike për operacionet ushtarake.

Në qershor 2023, Gjykata e Lartë la në fuqi sekuestron e “Portit të Limionit”, miratuar nga GJKKO në shkurt të atij viti (Shiko vendimin).
Përplasjet ligjore vazhdojnë, ndërsa SPAK dhe gjykatat e kanë ndaluar vijimin e punimeve deri në përfundimin e hetimeve kurse oligarkët po tentojnë censurimin e këtij shkrimi. /korrieri