
Arben Ahmetaj “shpërthen” dhe thotë se Ergys Agasi kontrollon PS
“Ka shumë socialist, por nuk ka parti. Pse mo, për Ergys Agasin votuan shqiptarët? Votuan që Ergys Agasi të drejtojë Shqipërinë? Çfarë do Ergys Agasi me Ramën në Davos dhe Emirate? Pirro Vëngu nuk ka lidhje, por sistemi ipatronazhimit politik është kthyer në patronazhimin e bukës. Ata kërcënojnë punonjësit e administratës ”, tha Arben Ahmetaj sot në intervistën e radhës në Syri TV.
“Piro Vëngu merret tani me pronat e ushtrisë. Më thanë nga ministria e Mbrojtjes që Piro Vëngu ka ardhur vetëm për të dorëzuar pronat e ushtrisë”, tha Ahmetaj duke theksuar se 5D tani është kthyer në 5B
Emri i Ergys Agasit është përmendur edhe më parë si ndërmjetësi mes krimit të organizuar dhe politikës. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj e ka përmendur përmes një kamere të fshehtë të realizuar nga emisioni “Le Iene”. Po ashtu, ish-kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar Agasin si personin që cakton drejtuesit e institucioneve kryesore në Durrës dhe si figurë me lidhje të fuqishme me krimin e organizuar në këtë qytet.
Klodiana Lala: Ergys Agasi kontrollon Durrësin
Gazetarja Klodiana Lala, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se Ergys Agasi ka organizuar një takim të rëndësishëm mes biznesit, politikës dhe krimit të organizuar në një resort në periferi të Tiranës.

Në postimin e saj, Lala shkruan:
“Ergys Agasi është një emër i lakuar për lidhje të ngushta me njerëz të krimit. Ai ka marrë në dorë drejtimin e PS-së në Durrës, duke u kthyer në njeriun më të besuar të Ramës, pas ‘rënies’ së Vangjush Dakos. Sot, ai kontrollon çdo qelizë të institucioneve në qytetin bregdetar. Çdo emërim në poste kyçe në administratë kalon përmes tij.
Për të treguar fuqinë e tij, po ndaj një detaj: disa kohë më parë, Agasi organizoi një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku mblodhi krimin, politikën dhe biznesin. Policia ka faktet në dorë. Detajet e kësaj feste janë të dokumentuara, dhe SPAK ka mundësinë t’i hetojë.”
Ergys Agasi dhe Orest Sota, bashkëpronarë me Adrian Bardhin te Dinamo City
Klubi Dinamo City ka ndryshuar strukturën e pronësisë në verën e 2024, duke kaluar nga dy në tre aksionarë. Biznesmeni Adrian Bardhi ka shitur 30% të aksioneve të tij te biznesmeni Orest Sota, duke ruajtur 40% të aksioneve dhe maxhorancën. Pronari tjetër, Ergys Agasi, mban 30% të aksioneve, pjesë që nuk është prekur nga marrëveshja.
Marrëveshja u finalizua në maj 2024, ku Sota pagoi Bardhin 22 milionë lekë për pjesën e aksioneve të tij. Bardhi, i njohur për aktivitetin e tij në fushën e kafesë dhe restoranteve, bleu klubin Dinamo në vitin 2021. Nga ana tjetër, Ergys Agasi, i përfolur për lidhje të mundshme me grupe kriminale sipas deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, mbetet një figurë me ndikim në pronësinë e klubit. Pas këtij transaksioni, pronësia e Dinamo City ndahet: 40% Adrian Bardhi, 30% Ergys Agasi dhe 30% Orest Sota. /korrieri