
DOSJA E SPAK / Dalin SMS-të, si tallen me Dietlof Mare pas pagesave na Vodafone
Tranzitimi i thirrjeve ndërkombëtare të kompanisë Vodafone është kthyer në minierë ari për kompanitë që ofrojnë këtë shërbim, duke hapur edhe oreksin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për t’u futur në këtë treg.
Siç konstatohet në dosjen e SPAK që ka parë Gazeta Korrieri, Meta dhe Kryemadhi kanë përdorur si sekser Theodhori Çamin, pronarin e kompanisë LeSpot, i cili sipas SMS-ve që kanë dalë, kishte njohuri dhe lidhje me drejtuesit e kompanisë Vodafone në Shqipëri.
Madje, aq shumë ka qenë i përfshirë Theodhori (Theo) në këtë histori, sa Kryemadhi komunikon vazhdimisht me Adrian Shatkun për sjelljet e tij, ndërkohë në një moment shkruan se “Theo u dh*je fare se i foli Iliri”.
Rezulton se Theodhori Çami dhe Ilir Meta janë fqinj me vilat e tyre në Gjirin e Lalzit, ku edhe janë njohur.
Madje, siç ka zbuluar SPAK, pazaret mes Theos dhe Ilir Metës janë bërë pikërisht duke ecur gjatë muajve tetor-nëntor 2014 në rërën e Gjirit të Lalzit.
Në një tjetër episode, rezulton se Theo ka njoftuar Adrian Shatkun dhe Monika Kryemadhin se disa aktorë të tjerë të tregut të telefonisë celulare, përfshirë edhe turqit e Albtelecom, kishin dërguar letër te Vodafone duke kërkuar prishjen e marrëveshjes së tranzitimit të thirrjeve nga UNIFI për Vodafone.
SPAK ka zbuluar se lidhja e kompanisë UNIFI me Vodafone është bërë pikërisht me ndërmjetësimin e Theodhori Çamit dhe për këtë sipas dosjes, ky i fundit ka marrë 6-7 pagesa, pasi sipas Adrian Shatkut kaq kushtonte shërbimi që kishte ofruar.
Në një episod tjetër, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Theodhori Çami tallen me drejtorin e Vodafone të kohës Dietlof Mare duke e quajtur “afrikano jugori” ose “afrikani”.
I pyetur në lidhje me këtë nofkë, Theodhori Çami është shprehur para prokurorëve të SPAK se kështu quanin “drejtorin e Vodafone, Ditelof Mare”.
Me porosi të Metës dhe Kryemadhit, biznesmeni negocioi me Marin Gjonajn dhe Anisa Skëndajn që kompania UNIFI të përdorte infrastrukturën e Info Telecom për të mundësuar shërbimin ndaj Vodafone. /korrieri