
Një 39-vjeçar është arrestuar në Kamëz, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritete spanolle. Bëhet fjalë për Elion Vathi (Kaci), i cili akuzohet për vrasje në Spanjë. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti nga Gjykata e Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, po vijon procedurat për ekstradimin e tij.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Lacking” nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë.
Lokalizohet dhe kapet një 39-vjeçar, i akuzuar për “Vrasje” nga autoritetet spanjolle.
Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lacking”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja me qëllim ekstradimin drejt Spanjës të shtetasit:
E. V(K)., 39 vjeç, banues në Kamëz.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale ‘Vrasje” parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi”, njofton Policia./korrieri