
Detaje nga arrestimi me urdhër të Gjykatës së Posaçme, të Safet Bajrit, i njohur ndryshe si i “forti i Shkodrës”.
Ndaj Bajrit është lëshuar masë arresti, ndërsa një nga ngjarjet për të cilat ai akuzohet, është vrasja e Fatbardh Licit në 2018 në Shkodër.
Dyshohet së Safet Bajri dhe Asmer Bilali, në bashkëpunim dhe Behar Bajri, kanë kryer vrasjen e Fatbardh Licit.
Por kush ishte Fatbardh Lici dhe si u ekzekutua?
Fatbardh Lici, u vra me breshëri plumbash në 10 gusht 2018, teksa ndodhej në kafe në Shkodër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit në periferi të qytetit, në lagjen “Kiras”.
Viktima, 53-vjeç, ka qenë duke pirë kafe në shoqërinë e dy personave të tjerë kur nga një mjet tip “Benz”, pa targa, ka dalë një person që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 Janar 2018.
Dyshimet ishin përforcuar edhe më tej, se mes familjes Bajri dhe Lici kishte nisur lufta.
Edhe pse hetuesit u treguan të kujdesshëm për të mos dalë në konkluzione të pavërteta, fisi Bajri lakohej për këto ngjarje kriminale, shkruan tch.
Ndërkohë, dëshmitë e të afërmve të Licit nuk ndihmuan për të mbështetur dyshimet e hetuesve, se sulmi po vinte nga Bajrat.
Fatbardh Lici ishte i skeduar në Policinë e Shtetit, për dyshimet e një vrasjeje në pritë, në vitin 2011, të Astrit Kurmemaj, edhe ky gjithashtu i dënuar për vrasje.
Por kjo pistë u rrëzua, pasi familjarë të Kurmemaj u panë në funeralin e Licit.
Vrasja e Fatbardh Licit, u hetua si pjesë e zinxhirit të vrasjeve që ndodhën në Shkodër gjatë këtyre muajve të 2018-ës.
Gjithçka që policia mund të bënte ishte të ndiqte gjurmët dhe të studionte krimet në zinxhir për të ngritur pista drejt së vërtetës që nuk u gjet kurrë.
Pjesëtarë të familjes Bajri kishin qenë në vëzhgim prej të paktën gjashtë muajsh.
Madje, ata mbikëqyreshin me dronë në lagjen e tyre.
Por, provat që t’i implikonin Bajrat në krimet me Licët, mungonin.
Edhe pse policia mbante nën vëzhgim persona të konsideruar të rrezikshëm, do të vijonin të ndodhnin të tjera ngjarje./korrieri