
“Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrave.” – Kështu i është përgjigjur sot Altin Dumani shqetësimit të kryeministrit Rama, i cili tha pak ditë më parë se “S’mund të survejohen partitë politike në fushatë zgjedhore.”
Kreu i Prokurorisë së Posaçme tha se hetimi do të kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. Sipas tij, krimi zgjedhor, përfshirë edhe atë me financime joformale, dhe zgjatja e hetimeve post factum krijojnë mosbesim. Për këtë arsye, Altin Dumani duket i vendosur në zbatimin e strategjisë së SPAK për të luftuar krimin zgjedhor.
A do të përdorë prokuroria përgjimet apo metoda të tjera hetimore për këtë proces? Përgjigja për këtë gjendet në strategjinë e publikuar nga SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore. Edhe pse palët politike kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për vjedhje dhe krime elektorale, deri më sot nuk ka pasur asnjë hetim të përfunduar seriozisht për këto akuza.
Kryetari i PD-së dhe kryeministri janë skeptikë deri më tani për iniciativën e re ligjore të Prokurorisë së Posaçme. Sfida e re e SPAK tashmë është shtrirë në një dimension të ri: krimin elektoral. Padyshim, publiku pret më shumë rezultate në një kohë kur Prokuroria e Posaçme mbetet institucioni me besueshmërinë më të lartë në Shqipëri. /korrieri