
Gazetari Xhevair Zhabina ka komentuar për dosjet e nxehta në SPAK dhe nëse mund të ketë arrestime të tjera sa i përket zyrtarëve të lartë për të cilat u shpreh se dosja më e nxehtë mbetet ajo e inceneratorit.
Ai tha se prokuroria është në vitin e pestë të hetimit për të dhe ende nuk kemi një vendim, teksa theksoi se kjo dosje është dhe më e madhja që mund të rëndojë mbi Veliajn.
Sipas tij, shqetësim mbetet ndarja e tyre në fraksione duke bërë që çështjet të zvarriten.
Disa dosje në prokurorinë e posaçme nuk kanë afat, janë të nxehta dhe prekin politika të mëdha, vendime të marra nga 2013.
Këto dosjet janë ndarë në disa fraksione nga prokuroria e posaçme dhe fraksioni i mbetur është nëse do çohen zyrtarë të lartë drejt arrestit me burg apo çdo mase tjetër. Prokurori Dritan Prenci duhet të dalë me një vendim.
Prokuroria thotë se është duke u hetuar sa i përket inceneratorit të Tiranës se aty pavarësisht se jepeshin para për ndërtimin e tij nuk është ndërtuar dhe janë dhënë rreth 130 mln euro kjo është dhe dosja më e madhe që mund të rëndojë dhe mbi Veliajn.
Roli i tij në procedurat e inceneratorit të Tiranës ka qenë i rëndësishëm, por mund të rëndojë dhe mbi ish- zyrtarë dhe zyrtarë të qeverisë Rama.
Një dosje tjetër që mund të ketë zhvillime për shkak të viteve të shumta, është dosja e pronave të ushtrisë, kallëzimet janë të vitit 2021, u bënë katër vite, kemi parë se janë pyetur shumë zyrtarë të lartë, mes tyre dhe Xhaçka, Bardhyl Kollçaku, por akoma nuk kemi një vendim mbi këtë çështje.
Nga informacionet që kam pasur na është thënë se jemi në fazën e hetimit paraprak. Çështje të tjera të rëndësishme mund të jenë dhe ato të krimit të organizuar pavarësisht se kohët e fundit vëmendje të madhe ka marrë korrupsioni dhe çështja Veliaj.
Këto janë çështje që priten të kenë vendime, por duhet thënë se kur vjen puna te hetimi i korrupsionit madhor prokuroria e posaçme cedon pak, i ndan dosjet në disa fraksione dhe hetimet vetëm zgjaten, një rast i tillë është dhe afera 5D.