
Kompania “Coca-Cola”, ka tërhequr pijet e saj në disa vende të Evropës pasi u zbuluan nivele të larta të Kloratit Kimik. Menjëherë pas zbulimit, përfaqësuesi i prodhuesit të njohur në Belgjikë ka bërë të ditur se një sasi e madhe produktesh po tërhiqet. Por, pavarësisht tërheqjes së mijërave shishe në vende të ndryshme në Evropë, në vendin tonë është situatë tjetër. Pas alarmit të shkaktuar, “Ora News” ka kontaktuar me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të kërkuar informacione nëse janë kryer analiza të pijeve të prodhuara nga kompania e “Coca-Cola”, pas tronditjes që shkaktoj në tregjet evropiane.
Në përgjigjen zyrtare, AKU informon se “në laboratorët e autorizuar të ISUV nuk ofrohet shërbimi lidhur me përmbajtjen e klorateve, apo çfarë lidhet me përmbajtjen e klorit në produktin Coca-Cola”.
Ndërsa, kompania lajmëroi se janë tërhequr mijëra kanaçe dhe shishe qelqi nga tregjet evropiane për shkak të probleme, në vendin tonë kjo analizë nuk kryhet. Sipas “Ora News” Drejtoria Rajonale e AKU-s në Tiranë, nga viti 2020 deri në 2024, ka kryer vetëm 6 analiza për pijet freskuese të kompanisë në fjalë. Ndryshe nga ajo e Tiranës, që ka kryer një numër shumë të ulët analizash, ajo e Korçës ka bërë 62 analiza gjatë kësaj periudhe.
Më herët, u denoncua për “zhdukjen” e 1.809.054 (një milion e tetëqind mijë) litra pijeve të skaduara “Coca – Cola”. Por, në lidhje me këtë rast, AKU informoi se asgjësimi ishte kryer sipas ligjeve dhe pjesë e procesit ishte edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Por, kur u kontaktua Agjencia Kombëtare e Mjedisit, dha një përgjigjë më ndryshe nga AKU, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni për asgjësimin e 1.8 milionë litra pije të skaduara të kompanisë “Coca-Cola”.
*Klorati mund të gjendet në ushqime pasi rrjedh nga dezinfektuesit me klor të përdorur gjerësisht në trajtimin e ujit dhe përpunimin e ushqimit. Ekspozimi ndaj niveleve të larta të përbërjes kimike mund të shkaktojë probleme shëndetësore, duke përfshirë problemet me tiroiden, veçanërisht tek fëmijët dhe foshnjat./korrieri